Raportet me SHBA-në, presidentja Vjosa Osmani i ka cilësuar strategjike dhe ekzistenciale, ndërsa në takimin me kongresistin Mike Turner e falënderoi për mbështetjen ndaj Kosovës.
Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-së.
“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka theksuar ajo, njoftoi ZPRK në një komunikatë.
Ajo ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.
Ndërsa në raport me bashkëpunimin me SHBA-në, Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces. Por, ka theksuar “obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi”.
Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.
Turner ka ardhur në Kosovë një ditë pas vizitës që pati në Serbi./Koha