Osmani: Synojmë ta forcojmë aleancën edhe më shumë bashkë me Trumpin dhe administratën e tij

0
110

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar angazhimin e Kosovës për të forcuar aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës Trump, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë të dhënë për influencerin australian, Mario Nawfal, Osmani e ka vlerësuar mbështetjen amerikane gjatë periudhave më të vështira të historisë së Kosovës, duke theksuar se “që nga nata më e errët e luftës, e deri te mëngjesi i lirisë – Amerika ishte aty për ne”.

“Këtë aleancë synojmë ta forcojmë edhe më shumë bashkë me Presidentin Trump dhe Administratën e tij.”, tha tutje Osmani.

Presidentja Osmani ka folur gjithashtu për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe rolin shkatërrues të Sllobodan Millosheviqit në këtë proces. Ajo ka deklaruar se shpërbërja ka nisur që kur Millosheviqi ka nisur ta luftojë çdo komb që nuk mendonte si ai, duke përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Bosnje e Hercegovinën dhe më pas edhe Kosovën.

Ajo ka theksuar se lufta e Millosheviqit në Kosovë nuk ishte vetëm për territor, por ishte një luftë ndaj civilëve, grave dhe fëmijëve.

Sipas Presidentes Osmani, regjimi i Millosheviqit synonte të shkaktonte një dëm të paimagjinueshëm ndër gjenerata në Kosovë.

Qëllimi i tij ishte të zhdukte shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut,” tha ajo, duke shtuar se kjo ishte ndaluar falë ndërhyrjes së demokracive botërore, me SHBA-në në krye.

Osmani theksoi se Kosova, e shpëtuar nga shkatërrimi, është tani një nga vendet më pro-amerikane në botë, dhe kjo lidhje është thelbësore për të ardhmen e vendit.

Millosheviqi deshi t’na fshijë nga faqja e dheut. Dhe mrekullisht, demokracitë nga e gjithë bota na shpëtuan, të udhëhequra nga SHBA, dhe shpëtuan jetët tona,” tha ajo.

Në fund, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të qëndrojë gjithmonë e pathyeshme dhe e palëkundur: “Kosova do të qëndrojë e përjetshme, ashtu si edhe aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here