Osmani: Serbia s’mund t’i diktojë proceset kushtetuese në Kosovë, shumë qytetarë serbë u kërcënuan

0
157

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi. Osmani e ka përgëzuar KQZ-në për përgatitjet, derisa ka falenderuar edhe institucionet e sigurisë.

Osmani ka thënë që institucionet e Kosovës kanë treguar se grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia nuk mund t’i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës.”

Ajo deklaroi se shumë qytetarë serbë u kërcënuan dhe u shtantazhuan që të mos marrin pjesë në zgjedhjet që u mbajtën dje në katër komunat veriore.

“Falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në votim, përkundër ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë dhe strukturave të saj kriminale për ta pamundësuar një gjë të tillë. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve kriminale, shumë qytetarë serb të këtyre komunave u kërcënuan dhe u shantazhuan me qëllim që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kësisoj të mos mund ta shprehin vullnetin politik për t`i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal.”

Sipas saj “angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin implementues”.

“Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nda jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare.”

Osmani ka thënë që institucionet e Kosovës do t`i shtojnë përpjekjet dhe do t’i qëndrojnë pranë të gjithë qytetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, “në mënyrë që të mbrohen nga kërcënimet e strukturave ilegale”.

“Institucionet e Kosovës poashtu do t`i bashkërendojnë veprimet me aleatët strategjik për t`i ndaluar veprimet e mëtejme destabilizuese të Serbisë, të cilat janë edhe në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të Brukselit. Jemi të vendosur që së bashku me qytetarët e këtyre komunave të punojmë për kushte gjithnjë e më të mira jetese, më shumë demokraci dhe mirëqenie në secilën lagje të secilës komunë.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here