Presidentja, Vjosa Osmai, ka thënë se me fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe me ndalimin e qytetarëve të Kosovës në territorin e saj, Serbia është duke e shkelur nenin katër të marrëveshjes dhe preambulen e saj.
Presidentja tha se Serbia, po ashtu, ka shkelur parimin e respektimit të integritetit territorial të Kosovës.
“Serbia e dëshmoj edhe dje se është duke e shkelur nenin 4 të marrëveshjes, duke i ndalur dhe torturuar qytetarët tanë po shkel edhe pjesë tjera të saj, preambulën nenin 1, 2 dhe 3 të marrëveshjes së Brukselit. Duke e sulmuar Kosovën me aktë agresioni vitin e kaluar ka shkelur parimin e respektimit të integritetit territorial të Kosovës. Duhet t’i bashkojmë të gjithë forcat që presioni të shkoj tek Serbia. Kosova gjithnjë ka dëshmuar që është jo vetëm konstruktive, por edhe e mbanë fjalën për ato që i nënshkruan. Megjithatë është njëfar rendi në procesin e djalogut, kur ka dy palë të dyjat duhet t’i zbatojnë detyrimet dhe jo vetëm njëra palë”, ka thënë presidentja për RTV21.
Autoritetet serbe të mërkurën kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”. Kështu thanë autoritetet në Prishtinë, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.
Bashkimi Evropian në një reagim tha se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.
“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Petar Stano.
Çështja e lëvizjes është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në Bruksel. Në këtë marrëveshje thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”.