Lidhur me deklaratën e Presidentes së KE, Ursula von der Leyen se BE-ja është duke pritur rezultatet e hetimeve të sulmit të Banjskë për të pasur një qëndrim zyrtar ndaj Serbisë, e para e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se hetimet e institucioneve të Kosovës të mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë tashmë kanë dëshmuar qartë se Serbia qëndron prapa këtij sulmi terrorist të 24 shtatorit, shkruan Reporteri.net.
Sipas presidentes Osmani janë katër elemente që e lidhin Serbinë me këtë sulm, e që çojnë deri tek presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Janë katër elemente thelbësore që e lidhin Serbinë me këtë sulm, e që e çojnë deri te Vuçiqi. 1.Financimi i strukturave për të cilat ka dëshmi tashmë të evidentuara edhe muaj më parë e jo vetëm me 24 shtator, 2.Armët të cilat janë prodhur në industrinë ushtarake të Serbisë dhe janë dhënë nga shtetit serb për terroristët që kanë kryer sulmin, 3.Trajnimet që janë bërë që as shteti serb nuk e mohon që i ka bërë për këto grupe, dhe 4. Involvimi dhe lidhjet politike të shtetit serb me terroristët që e kanë udhëhequr këtë sulm”, tha Osmani në konferencë para gazetarëve.
“Shtetet anëtare veç e veç mund t’i kenë procedurat por presim që këto procedura për konfirfmim të informacioneve, por megjithatë presim që sapo të përfundojnë ato procedura të ndërmerren masa ndaj tyre”, tha Osmani.
Presidentja e vendit tha se procesi i dialogut duhet të rimendohet pas agresionit serb të 24 shtatorit.
“Janë bërë 12 vite në dialog, dhe është koha për reflektim, sepse qasja e ka inkurajuar Vuçiqin që ai të kryej përdor dhunë dhe të kryej akt agresioni. Nuk duhet të sillemi sikur nuk ka ekzistuar 24 shtatori, duhet të ketë mësime të mësuara dhe i gjithë procesi i dialogut të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur me 24 shtator”, tha Osmani./Reporteri