Osmani pro zgjedhjeve në Veri, peticionin e sheh si mënyrën më demokratike

0
218

Presidentja Vjosa Osmani është shprehur pro zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të vendit.

Në një intervistë për Reuters, Osmani ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.

Sipas Osmanit, peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.

“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo për Reuters.

Por, para shpalljes së zgjedhjeve, Osmani ka thënë Kosovës i nevojitet garanci nga ndërkombëtarët se Beogradi s’do të ndërhyjë.

Ajo e ka përshkruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si “burrë dramatik”.

“Vuçiq, në shumicën e takimeve të tij është goxha burrë dramatik. Prandaj, ai, natyrisht se ka tentuar të krijojë drama sërish, mirëpo nuk ka ofruar ide që mund të kontribuojnë në paqe dhe stabilitet në rajon”, ka thënë Osmani.

“Ai dëshiron të pretendojë se po bën koncesione të mëdha, që ai është nën presion të madhe, që po vuan, që është në rrezik, e gjëra të ngjashme. Mirëpo diçka e tillë nuk duhet të tolerohet pas moshës katërvjeçare”.

Ndryshe, situata në veri të vendit është tensionuar nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e tri komunave veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, që të futen në zyret e tyre, përkundër rezistencës së serbëve lokalë.

Situata eskaloi më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, njëmbëdhjetë të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez.

Lëndimet e tyre përfshijnë fraktura të gjymtyrëve, djegie, ndërkohë që 3 ushtarë hungarez janë të plagosur me armë zjarri.

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se po të mos ndërhynte KFOR-i në veri, “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

“Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, ka deklaruar Ristuccia.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here