Osmani: Përjetësisht i jemi mirënjohës NATO-s, ndërhyrja na dha krahë që t’i japim zë sukseseve të Kosovës

0
294

Në 23 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se 23 vite më parë jeta e gjithsecilit nga ne mori kthesën e shpresës.

Osmani theksoi se kjo u arrit me ndihmën e aleatëve, të cilët vendosën t’i japin fund gjenocidit dhe krimeve të paskrupullta nga ana e Millosheviqit që synonte me çdo kush shfarosjen e popullit tonë.

“Bombat e drejtuara mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe ishin sinjali i parë se shpresa dhe e drejta e dy milionë shqiptarëve për liri dhe demokraci po jetësohej.Prandaj sot e përjetësisht i jemi mirënjohës NATO-s, ashtu siç i jemi mirënjohës trupave paqeruajtëse, grave e burrave të cilët i dolën në krahë te drejtës dhe paqes, duke vulosur mbrojtjen dhe lirinë e sigurinë e çdo qytetari të Kosovës.”, tha Osmani.

Presidentja Osmani shtoi se ndërhyrja e NATO-s i hapi rrugë rilindjes së lirisë dhe demokracisë në Kosovë.

“Kjo, pas dekadash dhune, aparteidi e diskriminimi sistematik që rezultoi në një luftë të përgjakshme e udhëhequr nga synimet fashiste për të vrarë, përdhunuar e shpërngulur më dhunë popullin e Kosovës nga toka e tyre.Është për të ardhur keq që sot gjejmë veten në një pozicion ku duhet të mbrojmë vendimin e drejtë të NATO-s për ta ndalur gjenocidin në Kosovë. Por, të jeni të sigurt që ne nuk do të ndalemi asnjëherë nga mbrojtja e së vërtetës!.”, shtoi ajo.

Osmani gjithashtu tha se e vërteta është kjo: Ndërhyrja e NATO-s nuk ishte vetëm e nevojshme, por ishte mëse e mirëpritur nga populli i Kosovës. Vetë ekzistenca jonë si popull i lirë dhe i pavarur është suksesi i përbashkët i rezistencës sonë çlirimtare dhe vendimit të NATO-s për të ndërhyrë.

“Në këto 23 vite, ne ua kemi dëshmuar aleatëve tanë se ndërhyrja nuk ishte thjesht një gjest njerëzor e fisnik, por ishte veprimi i vetëm i mundshëm. Ndërhyrja shpëtoi jetë, krijoi shpresë, na dha krahë për të ndërtuar vendin që e duam sot dhe na mundësoi t’i japim zë sukseseve të Kosovës si shtet i pavarur e sovran.Për forcat destruktive që sot i vënë në pikëpyetje qëllimet e NATO-s, ajo që është më me rëndësi është se populli i Kosovës – populli më pro NATO në botë – e di të vërtetën. Bota demokratike, po ashtu, e di të vërtetën.”, shtoi tutje Osmani.

“Sot, edhe një herë, shohim se si shkelet demokracia dhe vritet liria. Pikërisht sot, më 24 mars, NATO është mbledhur për të diskutuar për agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës. Pamjet rrëqethëse të sulmeve ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas janë përkujtues i rëndë e i vështirë i një të kaluare të errët për popullin tonë.”, theksoi ajo.

Sipas Osmani, si shtet, nuk i kemi marrë asnjëherë të mirëqena veprimet e aleatëve tanë në mbështetje të Kosovës.

“Këtë ua kemi dëshmuar duke u rreshtuar në një vijë me ta e duke qëndruar të bashkuar përballë tiranisë e autokracisë.Po ashtu, një gjë është e sigurt: Mësimet nga e kaluara qartësojnë vizionin për të ardhmen, prandaj Kosova dhe ne si qytetarë të saj kemi përkushtim të përhershëm rrugën drejt anëtarësimit në familjen euro-atlantike duke mbrojtur vlerat e përbashkëta për liri dhe demokraci.Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatët e saj!.”, përfundoi Osmani./Lajmi.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here