Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Epopenë e Dukagjinit, me rastin e 25-vjetorit.
Ajo ka thënë se kjo është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për lirinë e vendit.
“Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme. Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj në këtë ditë ranë në altarin e lirisë, ndaj sot e përherë i kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet”, citohet Osmani në një komunikatë të Presidencës.
“Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj ajo paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës veri-Atlantike. Respekt dhe kujtim i përhershëm për të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë miqtë tanë që mbështetën luftën tonë për liri dhe shtetndërtim”, citohet tutje Osmani.