Osmani për BBC: Deklarata për të zhdukurit, arritje drejt normalizimit me Serbinë

0
189

Të shtunën në Londër do të zhvillohet Ceremonia e Kurorëzimit të Mbretit Charles III.

Në këtë ceremoni, mes mbi 100 krerëve të shteteve të ndryshme, do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë ka mbërritur në kryeqytetin britanik.

Pas mbërritjes, ajo ka zhvilluar një intervistë për BBC.

Aty Osmani flet për ndihmën që Britania e Madhe ia ka dhënë Kosovës vazhdimisht, të cilën e falënderon.

Ndër të tjera, presidentja e vendit ka thënë se Mbreti Charles e ka mbështetur personalisht Kosovën, e ka vizituar vendin para disa vitesh, dhe ka disa çështje për të cilat thotë se pret me padurim të punojë me të, “veçanërisht në mbështetjen e familjeve të personave të zhdukur që janë zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit, si dhe mbështetjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë të luftës, kauza të cilat i kam shumë për zemër”, tha presidentja e vendit për BBC, raporton Klankosova.tv.

Duke folur për komunitetin shqiptar në Britani të Madhe, Osmani tha se ata janë shumë të suksesshëm në profesionet e tyre.

“Pas ceremonisë, do të tentoj të takohem me ta. Kemi një komunitet kosovar që lulëzon këtu në Londër, por edhe përtej, që jo vetëm se janë të integruar, por janë edhe shumë të suksesshëm në profesionet e tyre dhe jam shumë krenare për të arriturat e tyre”, theksoi Osmani në këtë intervistë për BBC.

Ajo tha se duhet të punohet që ngjarje si lufta e fundit në Kosovë të mos ndodhin kurrë më.

Osmani u pyet edhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë. Sipas saj, miratimi i Deklaratës për personat e zhdukur ishte një e arritur e suksesshme në këtë drejtim.

“Besoj se java e fundit ka qenë goxha e suksesshme, veçanërisht në një çështje të veçantë, që është miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur që janë zhdukur me forcë gjatë luftës, është një çështje që e kam shtyrë përpara dhe si Kosovë kemi investuar në këtë sepse janë mbi 1600 familje që ende i kërkojnë të dashurit e tyre që janë rrëmbyer gjatë luftës dhe për këtë arsye llogarisim mbështetje shtesë nga Britania e Madhe që është një nga vendet me rol kryesor për të na mbështetur. Deklarata është miratuar, zbatimi është kyç dhe fatkeqësisht Serbia nuk njihet si vend për zbatim. Por shpresoj që me ndihmën e aleatëve mund t’i japim fund kësaj plage shumë të thellë të shoqërisë sonë dhe që nënat të kenë një vend ku mund të vendosin lule për fëmijët e tyre të zhdukur”, potencoi e para e shtetit.

Ajo u pyet edhe për rastet e të shtënave të masë në Serbi që ndodhën në dy ditët e fundit.

Sipas saj, ngjarja e 3 majit ku një fëmijë vrau tetë bashkëmoshatarë në një shkollë në Beograd, e kanë tronditur.

“Të shtëna masive nuk kanë ndodhur në rajonin tonë, ka qenë tronditje e madhe për mua. Si presidente e Kosovës, u kam shprehur ngushëllimet më të thella të gjitha familjeve që i kanë humbur të dashurit e tyre. Është një tragjedi e madhe, dhe shpresoj që institucionet në Serbi do të ndërmarrin të gjitha masat që fëmijët të mbrohen”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here