Në Reçak sot po shënohet 24 vjetori i masakrës së kryer nga forcat paramilitare serbe nën direktivat e kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Në akademinë përkujtimore, presidentja Vjosa Osmani tha se më 15 janar 1999 u krye një prej krimeve më monstruoze të makinerisë vrastare të Sllobodan Millosheviqit, por ishte edhe moment kthese në histori.
“Mizoria e regjimit të Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë mori trajtën më çnjerëzore, por shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht. Kjo masakër bëri që qendrat vendimmarrëse demokratike të mobilizoheshin që ta mbronin një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenocidal , por edhe për të dëshmuar se qytetërimi perëndimor nuk mund të dorëzohej para hegjemonive prandaj Kosova duhej të ndihmohej dhe të mbrohej”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se krimet e kryera në Reçak i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët.
“Të masakruarit mbase do të vriteshin për së dyti nga propaganda e makinerisë e gënjeshtrës informative, që atë kohë e udhëhiqte presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sikur ish-shefi verifikues i OSBE-së, William Walker, të mos kishte lëshuar një kushtrim gjithandej. Ambasadori Walker u shndërrua në zërin e viktimave dhe zërin e gjithë Kosovës në kohët më të rënda të historisë sonë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se ka tendenca të mëdha nga Serbia për të falsifikuar historinë. /Telegrafi/