Osmani: Ne kemi besim të plotë në administratën Trump

0
58

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim për media, pas takimit me zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, gjatë qëndrimit të saj në Washington, tha se ka besim të plotë te presidenti Trump.

Osmani ia ka shprehur falënderimet e popullit të Kosovës për ligjin që sapo ka nënshkruar presidenti Trump, në të cilin përfshihet edhe Republika e Kosovës dhe jo vetëm kaq, por në veçanti thuhet se nuk do të ketë ndryshim të kufijve.

“Prandaj mbrohet integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit tonë. Qartësohet se dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke, përkrahet anëtarësimi ynë në NATO, si dhe investimet strategjike në fushën e ekonomisë. Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati ynë më i rëndësishëm strategjik, dhe të njëjtën kohë për hapat përpara dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim, në mënyrë që dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rikthehet”, tha ajo.

E para e vendit tha se Kosova ka besim të plotë në administratën Trump.

“Jemi ndër një nga shtetet e para që kemi përkrahur një sërë veprimesh të ndërmarra nga presidenti Trump, kontributi i të cilit për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë është i domosdoshëm dhe ka qenë i vazhdueshëm”, tha ajo ndër të tjera.

Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 18 dhjetor, SHBA-ja zotohet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here