Osmani: Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë më të thella se sa dialogu Kosovë – Serbi

0
74

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shumë më të thella sesa çështja e dialogut Kosovë-Serbi dhe se nuk i bën mirë fare Kosovës që të reduktohet i gjithë raporti vetëm në këtë temë.

Ajo ka bërë të ditur se këtë e ka theksuar në të gjitha takimet me zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe dy biseda të shkurta që thotë se i ketë pasur me Presidentin e ShBA’së, Joe Biden.

“Prandaj edhe gjatë kësaj jave si Presidente e Republikës së Kosovës dhe udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vazhdimisht kam potencuar këtë fakt në të gjitha takimet me zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë dy biseda të shkurta që kisha me Presidentin (Joe) Biden gjatë ditës së djeshme, i cili siç e dini, ia ka kushtuar më shumë se 30 vite të karrierës së tij në mbështetje të Kosovës nga fillimi i viteve të 90-ta, kur ne me të vërtetë si Kosovë na duheshin zëra pro shtetit tonë dhe aspiratave tona për liri dhe pavarësi”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ajo ka thënë se si Presidente vazhdimisht insiston që të ketë sa më shumë koordinim dhe bashkëpunim me ShBA’në, sepse historia ka dëshmuar se çdo herë kemi pasur sukses.

“Në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka shumë sfida mirëpo, asnjëherë nuk ka munguar përkushtimi i plotë i Kosovës për të adresuar çështje që janë në interes të qytetarëve tanë dhe të paqes e stabilitetit rajonal…Pra, Kosova është e përkushtuar dhe natyrisht si presidente insistoj që çdo ditë të ketë më shumë koordinim dhe bashkëpunim me SHBA-të sepse historia ka dëshmuar se sa herë Kosova ka punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara edhe sa i përket qëndrimeve tona në dialog, por në përgjithësi në sukseset tona në fuqizimin subjektivitetit tonë ndërkombëtar, çdo herë kemi pasur sukses, pra sa më shumë afërsi, sa më shumë bashkëpunim me SHBA-të, aq më mirë për Kosovën, aq më shumë suksese për popullin tone”, ka shtuar ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here