Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se një plan për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të kësaj marrëveshjeje duhet të bëhet, ndërsa theksoi se është “tejet e qartë se cila është pala e cila po i shkelë marrëveshjet”.
“Pra, unë mendoj që është tejet e qartë se cila është pala e cila po i shkelë marrëveshjet e veta. Tani ajo që do të duhej të ndodhte në këtë periudhë, e që nuk ka ndodhur, që do ta lehtësonte zbatimin e plotë të pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të kësaj marrëveshjeje – jo vetëm pika-pika, por të tërë – është mungesa e një plani të zbatimit i cili ende është duke u hartuar në Bruksel, sepse nuk ka pasur pajtim të plotë”, tha Osmani në Lipjan, pas takimit që pati me kryetarin e kësaj komune, Imri Ahmeti.
Ajo tutje shtoi se ka kundërshtuar një plan të propozuar më herët nga ndërmjetësi, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pasi ai ishte i pabalancuar në favor të Serbisë.
“Dhe të ju them sinqerisht, edhe unë si presidente kam qenë kundër një plani që u pat propozuar nga ndërmjetësuesi, sepse ka paraparë që shumica e përfitimeve që i ka Serbia nga ky plan, të jenë në fillim të zbatimit, kurse ato të Kosovës të vijnë krejt në fund. Pra, nuk ka pasë balanc, as zbatim paralel të kësaj marrëveshjeje sipas atij plani sekuencues, siç po e quan Bashkimi Europian”, tha ajo.
Presidentja kërkoi edhe një herë që “të ketë trajtim të barabartë të palëve, që plani sekuencues i zbatimit të ketë parasysh që si Kosova, si Serbia, të zbatojnë në mënyrë paralele, të menjëhershme obligimet e tyre”.
“Jo që njëra palë t’i ketë të gjitha përfitimet në fillim, e pastaj për Kosovën të mendohet krejt në fund, sepse kjo thjesht do të na e krijojë edhe një situatë ku Serbia përfiton, kurse Kosovës i thuhet ‘prit edhe pak, jep edhe më shumë, jep edhe më shumë’, dhe kjo, siç e dini, nuk është strategji e cila ka sjellë më shumë paqe, por përkundrazi, vetëm e ka inkurajuar Serbinë që të shkojë edhe deri te më ekstremja, siç ishte 24 shtatori”, tha ajo.