Osmani i shkruan Bidenit për anëtarësimin e Kosovës në NATO

0
316

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se i ka shkruar një letër presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Ajo tha se insistimi i saj ishte që kjo çështje të shikohet nga prizmi i sigurisë, sidomos pas situatës aktuale që ka krijuar agresioni rus në Ukrainë.

“Ne po insistojmë që anëtarësimi në NATO të shikohet nga prizmi i sigurisë dhe jo vetëm nga prizmi i kritereve politike, sepse sot prizmi i sigurisë është më i rëndësishmi nga të gjithë. Prandaj, unë i kam shkruar edhe presidentit të SHBA-së dhe kam komunikuar me shtetet e tjera, duke pasë parasysh zhvillimet e fundit dhe që Kosova është shteti më pro NATO në botë. Anëtarësimi i të gjitha shteteve të kësaj pjesë të Europës në NATO nënkupton më shumë siguri dhe stabilitet”.

Osmani tha se e nënkuptohet që vendimi final merret me unanimisht nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s dhe se për këtë arsye tha se janë duke punuar me katër shtetet që nuk e njohin Kosovën.

“Kjo s’do të thotë që ne thjesht duhet të ulemi dhe të presim dhe që ne të mos marrim asnjë hap drejt atyre shteteve që nuk na kanë njohur. Përkundrazi, ne po punojmë shumë me këto katër shtete dhe aleatët tonë”.

Presidentja tha se është momentumi i Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO derisa për anëtarësim në Këshill të Europës tha se “është prioritet mbi prioritet” sa i përket organizatave ndërkombëtare.

Në një prononcim për media, Osmani gjithashtu foli edhe për zgjedhjet serbe të 3 prillit, duke thënë se e drejta e serbëve që kanë nënshtetësi të dyfishtë dhe e drejta e Serbisë për të organizuar zgjedhje në Kosovë janë çështje të ndryshme, por se është e domosdoshme që të respektohet sovraniteti i vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here