Osmani i përdori për Gjykatë deklaratat e tyre, Rrustemi i VV’së: Treguam përkushtim që Presidenti të zgjidhet shpejt

0
76

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka provuar të arsyetojë deklarimet e bëra nga bashkëpartiakë të tij se nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 5 mars vendi shkon në zgjedhje, kjo pasi presidentja Vjosa Osmani ka përdorur deklarimet e bëra nga LVV në argumentimin e saj në Kushtetuese, shkruan Express.

Sipas Rrustemit, përmes deklarimeve të tilla ata kanë shprehur përkushtimin për ta zgjedhur presidentin sa më parë dhe se një gjë e tillë nuk nënkupton që duhet të pushojnë përpjekjet për ta zgjedhur të parin e shtetit brenda afatit 60 ditorë.

Për më tepër, deputeti i LVV’së thotë se kjo nuk nënkupton që Kuvendit të shpërndahet arbitrarisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

“Deklarimet tona se Presidenti të zgjedhet deri me 5 mars, shprehin vetëm perkushtimin tonë që ta zgjedhim Presidentin sa më parë dhe pa humbur kohë.Padyshim se do të ishte mirë dhe ka qenë pritje legjitime që Presidenti të zgjedhej deri më 5 mars, por kjo nuk nënkupton në asnjë mënyrë që Kuvendi duhet të pushojë përpjekjet për ta zgjedhur Presidentin brenda afatit 60 ditor nga dita e nisjes së procedurës. Aq më tepër kjo nuk do të thotë të shpërndahet Kuvendi arbitrarisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën”, ka shkruar Rrustemi.

Presidentja Osmani në komentet e saj në Kushtetuse ka thënë se edhe vetë parashtruesit e ankesës në Kushtetuese kanë deklaruar se vendi shkon në zgjedhje nëse deri më 5 mars nuk zgjidhet presidenti i ri.

“Data 5 mars 2026 si datë e fundit për zgjedhjen e Presidentit të vendit është konfirmuar në mënyrë të përsëritur në deklarime publike, si para ashtu edhe pas nxjerrjes së Dekretit nr. 24/2026, edhe nga ana e vetë parashtruesve të kërkesave, përfshirë Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, anëtarë tjerë të Qeverisë dhe deputetë të shumicës parlamentare, një pjesë e të cilëve janë edhe parashtrues të kërkesës KO74/26. Rrjedhimisht, ky ndryshim në qëndrim duhet të shihet si përpjekje për të zvarritur shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i paevitueshëm dhe përfundimtar, e jo si një paqartësi e dispozitave kushtetuese”, thuhet në komentet e Osmanit.


LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here