Osmani i bashkohet deklaratës së Sekretarit Rubio për Dodikun: Angazhimi i SHBA-së thelbësor për stabilitet dhe paqe në rajon

0
75

Presidentja Vjosa Osmani i është bashkuar deklaratës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se veprimet e presidentit të Republika Srpsa-s, Millorad Dodik përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj. 

“Ne i bashkohemi deklaratës së Sekretarit Rubio dhe qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Bosnjë e Hercegovinës, duke riafirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij shteti”, shkroi ajo në një postim në X.

“Gjithashtu, dënojmë fuqishëm çdo veprim që minon themelet e Bosnjë e Hercegovinës, pasi ai rrezikon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar pa u lodhur për ta arritur—përmes dekadash sakrificash dhe me mbështetje të palëkundur amerikane”, shtoi ajo.

Osmani tha se “angazhimi i SHBA-së mbetet parësor për të siguruar që rajoni ynë të ecë drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe drejt një të ardhme euro-atlantike”.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për ta arritur këtë qëllim”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio u bëri thirrje të shtunën liderëve politikë të BeH që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm.

“Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio në X, duke iu referuar veprimeve të Millorad Dodikut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here