Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën për media bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka përmendur qasjen dhe veprimet e Kosovës të bëra në raport me agresionin rus kundër Ukrainës dhe njehsimin e politikës së Kosovës me politikën e jashtme dhe të mbrojtjes të BE-së.
Osmani ka thënë se këto arritje duhet të vlerësohen nga BE-ja dhe sipas saj është koha e fundit që Kosovës t’i hiqen masat e BE-së, të cilat sipas Osmanit janë të padrejta dhe që kanë dëmtuar qytetarët dhe procesin e dialogut.
“Kemi nevojë që BE-ja t’i vlerësojë dhe njohë këto arritje.Është koha e fundit që masat e padrejta të largohen përfundimisht. Përveç se të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët, kanë dëmtuar dialogun, duke e bërë të pa balancuar, të pabarabartë dhe pa kredibilitet.
Heqja e masave është reflketim ndaj nevojave të qytetarëve të Kosovës, gjithë komunitetit biznesor, por do të ishte dhe përgjigje ndaj plotësimit të parakushteve të BE-së për masat. E kuptojmë që ky proces është kompleks dhe shpresojmë që sa më parë të merret vendim”, ka thënë Osmani.