Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj komenteve të Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, i cili ka thënë se Osmani ka manipuluar fjalët e presidentit Donald Trump.
Në një konferencë për media, Osmani është shprehur se nuk i ka interpretuar deklaratat e Trump, por i ka shpjeguar ashtu si i ka kuptuar si presidente.
“Unë kur jam përgjigjur në pyetje lidhur me këto deklarata shumë konkrete, kam thënë mënyra se si e kuptojmë ne, pra nuk kam interpretuar deklarata të presidentit Trump, por e kam kuptuar se si e kam kuptuar unë si presidente,” tha Osmani.
Presidentja ftoi qytetarët që të dëgjojnë vetë deklaratat e Trump për të parë nëse ajo i ka keqinterpretuar.
“I ftoj qytetarët vetë t’i dëgjojnë ato deklarata për të cilat jam pyetur, janë ndër të tjera deklarata e 25 qershor 2025. Mund t’i dëgjoni vetë. I ftoj sërish qytetarët për të parë në qoftë se i kam keqinterpretuar ndonjë gjë.”
Osmani rikujtoi pjesë nga deklaratat e Trump, duke përmendur: “Sepse e dini, javët e fundit u kujdesëm për Indin-Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë.”
“Brenda pak muajsh kemi arritur paqe mes Indisë – Pakistanit, Izraelit dhe Iranit. Serbia, siç e dini, ishin gati për të shkuar në luftë përmes një grupi, e kemi ndalur një gjë të tillë.”
Ajo theksoi se deklaratat e saj ishin vetëm një reflektim i kuptimit personal, jo interpretim zyrtar.
“Nëse qëndrimi i SHBA-ve është ndryshe, besoj që mund t’i drejtoheni. Ne e vlerësojmë rolin e presidentit Trump si paqe bërës, si njeri që punon ditë e natë për paqe në botë. E vlerësojmë jashtëzakonisht shumë kontributin, dhe e tërë deklarata ime ka qenë në drejtim të vlerësimit të tij.”