Osmani arrin në Tiranë, tregon nëse do t’ia kërkojë Zelenskyt që ta njohë pavarësinë e Kosovës

0
164

Në Tiranë të Shqipërisë ka nisur mbërritja e liderëve nga Evropa juglindore në Samitin për Ukrainën, që po organizohet me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Pritja e liderëve po bëhet nga Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që po merr pjesë në samit, tha se në të do të flasë për hapat konkretë që po ndërmerrë shteti për të mbështetur Ukrainën.

Ajo u pyet se nëse do të kërkojë nga presidenti Zelensky që të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për liri”, tha Osmani.

“Jam e bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, shtoi ajo.

Ajo e ka vlerësuar të rëndësishëm këtë samit. Sipas saj, aty do të ofrohet mbështetja e Kosovës për Ukrainën.

“Ka rëndësi sepse do të kemi mundësi që si aleatë në vlera të japim gjithë mbështetjen tonë për Ukrainën siç kemi bërë që nga dita e parë e invazionit të paprovokuar dhe ilegal të Rusisë ndaj Ukrainës, duke vendosur sanksione, duke mbështetur qytetarët e Ukrainës, duke mbështetur ushtrinë ukrainase. Do ta bëjmë edhe tash e tutje. Sot në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në këtë drejtim dhe natyrisht do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, ka thënë Osmani.

Për çështjen e përballjes me liderë të Serbisë, Osmani ka thënë se “gjithmonë do të kemi ballafaqime me ta sepse për fat të keq ata jetojnë në të kaluarën”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here