Një nga shkeljet e të drejtave të punëtorëve është edhe ajo mbi baza gjinore, e veçanërisht ndaj gjinisë femërore.
Organizata të ndryshme vlerësojnë se edhe pse Kosova e ka kornizën ligjore për trajtim të barabartë në vendin e punës, kjo nuk ka gjetur zbatim. Ndërsa, sipas hulumtimeve, diskriminimi gjinor ndaj femrave bëhet më shumë në sektorin privat.
Të dhënat sipas organizatave joqeveritare në vend tregojnë se numri më i madh i të punësuarve në sektorin publik dhe privat në Kosovë janë meshkuj, ndërsa vetëm 14 për qind janë të punësuara femrat në sektorin privat. Edhe pse Kosova e ka kornizën ligjore, për çështjen e diskriminimit dhe trajtimin e barabartë në vendin e punës, kjo nuk ka gjetur zbatim, thonë organizatat. Edona Selimi, nga Organizata Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, tha për Radio Kosovën se sipas një hulumtimi që kanë bërë, tregohet se ka diskriminim gjinor sidomos ndaj femrave që punojnë në sektorin privat.
“Në një intervistë për punë, femra pyetet edhe për planifikimin e saj familjar dhe qysh këtu fillon diskriminimi. Më shumë kanë tendencë të marrin në punë gjininë mashkullore sesa atë femërore, duke marrë parasysh se ato kanë pretendime të bëjnë planifikimin familjar dhe do të kërkojnë pushimin e lehonisë, që iu takon me ligj, ku i bie barra sektorit privat që të paguajë pushimin e lehonisë. Femrat që preken nga diskriminimi janë edhe ato mbi moshën 35-vjeçare deri në moshën 50-vjeçare. Një shkelje tjetër, që kemi pasur rastin ta trajtojmë është edhe diskriminimi ndaj avancimit në pozitën e punës”, ka thënë Selimi.
Për diskriminimin mbi baza gjinore, edhe kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, tha se diskriminohen më shumë femrat që planifikojnë të lindin fëmijë.
“Te rastet e shtatzënave ka shumë probleme, sepse punëdhënësit nuk janë të gatshëm ta mbështesin gjatë kohës sa ajo do të qëndrojë në shtëpi. Kam dëgjuar rrëfime se një femër e pyesin rreth martesës, duke e ditur se do të shtohet edhe familja e që duhet të paguajnë pushimin e lehonisë dhe kështu nuk e marrin pagën në punë”, ka thënë Hykolli.
Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, bëri të ditur se femrat janë përjashtuar nga puna vetëm se kanë qenë shtatzëna.
“Në momentin kur pronarët e kompanive, jo të gjithë, por pjesa dërmuese, e kuptojnë se një punëtore është shtatzënë, atëherë ajo punëtore largohet nga puna me arsyetimin se ka rënë niveli i punës dhe ato në fakt mbesin në rrugë”, ka thënë Azemi.
Ndërkohë, edhe Instituti GAP ka publikuar një raport për diskriminimin me bazë gjinore në shpalljet e vendeve të lira të punës. Ky institut ka analizuar mbi 6 mijë shpallje për vende të lira pune, ku vërehet diskriminim gjinor për femrat, të cilave iu ofrohet pagë më e ulët për punën e njëjtë. Diskriminimi me bazë gjinore në titujt dhe përshkrimet e vendeve të punës, ndodh kur në njoftime për vende pune, sugjerohet një preferencë për njërën gjini. Përmbajtjet e tilla të konkurseve, në Kosovë janë të ndaluara edhe me ligj. Sektorët për të cilët kërkohen më shumë gra janë: administrata, edukimi dhe shëndetësia; kurse sektorët për të cilët kërkohen më shumë burra janë: tregtia dhe ekonomia. Sipas Institutit GAP, kjo analizë arrin në përfundim se dispozitat e tanishme ligjore nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e barazisë gjinore në tregun e punës dhe rekomandon masa më strikte për parandalimin e diskriminimit gjinor në punësim. Ndërkohë, sipas të dhënave nga organizatat joqeveritare, shumica e femrave nuk e raportojnë diskriminimin në vendin e punës, nga frika se e humbin atë vend pune, kurse paditë për këto çështje kanë zgjatur shumë vjet në proceset gjyqësore.