Në 26 vjetorin e nisjes së operacionit “Shigjeta”, bashkëluftëtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Kroacia vizituan kompleksin memorial në Landovicë të Prizrenit, për të bërë homazhe dhe nderuar luftëtarët që ranë gjatë atij operacioni.
Binak Gashi, një prej eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se operacioni “Shigjeta” është kryebeteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kryebetejën e UÇK-së, projektin më të madh kombëtar që ka ndodhur në historinë e shqiptarëve është projekti i UÇK-së. Sot shënojmë ditën e fillimit të operacionit “Shigjeta’ – kryebetejën e UÇK-së që ka filluar më 26 maj 1999 dhe ka zgjatur deri më 10 qershor 1999, ka qenë një ndër operacionet më të suksesshme të UÇK-së. Ka bashkëpunuar me forcat e NATO-s, forcat e NATO-s kanë qenë nga ajri, kurse pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë nga toka dhe bashkërisht e kemi kryer ashtu siç është më së miri. Humbjet tona kanë qenë shumë minimale, kurse nga ana e armikut kanë qenë shumë të mëdha”, tha ai.
Gashi për KosovaPress tha se kjo betejë detyroi forcat serbe te nënshkruajnë marrëveshjen tekniko-ushtarake në Kumanovë.
“Është beteja e fundit që ka detyruar forcat serbe ta nënshkruajnë marrëveshjen tekniko-ushtarake në Kumanovë… Atë kohë [e kujtojmë] pak me dhimbje, por është një kohë shumë krenare sepse ka kurorëzuar më lirinë e Kosovës…19 luftëtarë të UÇK-së kanë rënë, kurse nga armiku ka pasur 10 herë më tepër”, tha ai.
Muhamer Ibrahimi ushtar i njësisë speciale TF0, sot mbante veshur uniformën solemne si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se sot me këtë veshje po ndihet “sikur ditën e parë kur veshi uniformën e UÇK-së”.
Ibrahimi thotë se operacioni “Shigjeta” ishte grushti i fundit për largimin e forcave serbe nga Kosova.
“Është veshja e veteranëve, është solemne dhe në këtë ditë edhe të dëshmorëve dhe të operacionit, ne kemi vendosur si shokë t’i veshim këto, emocionin e kemi pak a shumë të njëjtë sikurse kur e kemi vesh uniformën e UÇK-së herën e parë… Tash secilën ditë e shoh rëndësinë dhe madhështinë e atij operacioni dhe efektin që e ka pasur… E di që ka qenë një prej operacioneve që ia kemi dhënë grushtin e fundit ushtrisë serbe”, tha ai.
Nga Tetova për të luftuar për lirinë e Kosovës kishte ardhur edhe Fexhri Asipi, i cili ishte pjesë e operacionit “Shigjeta”.
“Kam qenë pjesë e operacionit ‘Shigjeta’ dhe nëse i dëgjon dikush lajmet apo programet serbe, operacioni ‘Shigjeta’ ka qenë helm për armikun. Operacioni ka qenë shtrirje e gjatë nga Prizreni deri në Gjakovë ka qenë pjesë e madhe ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me një distancë shumë të gjatë”, tha ai.
Operacioni “Shigjeta” u zhvillua nga 26 maj deri më 10 qershor 1999.
“Shigjeta” kishte tre drejtime taktike: Kosharja, Pashtriku dhe Koritniku. Ai shtrihej përgjatë vijës kufitare nga Kosharja në Korintik./KP/