Operacion ndërkombëtar “DECATHLON”: Arrestime për trafik droge dhe shpëlarje parash, bastisje në Prizren

0
99

Një operacion i madh ndërkombëtar kundër trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave është zhvilluar dje nga autoritetet e Kosovës në bashkëpunim me ato të Suedisë.

Sipas informatave që ka siguruar eksklizivisht Sinjali, më 18.12.2025 rreth orës 16:00, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), përkatësisht Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve (SQHN) në Prishtinë, pas një hetimi disa mujor dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet suedeze, ka realizuar operacionin e përbashkët të koduar “DECATHLON”, i zhvilluar njëkohësisht në Kosovë dhe Suedi.

Operacioni ka rezultuar me arrestimin e një personi në shtetin e Suedisë, ndërsa hetimet kanë dokumentuar përfshirjen e të dyshuarit A. G, 51 vjeçar, në veprimtari kriminale që lidhen me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe veprën penale “Shpëlarje e parave”, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal, shkruan Sinjali.

Gjatë zhvillimit të operacionit, në bashkëpunim me dy zyrtarë nga hetimet financiare (DHKE), janë realizuar bastisje në dy lokacione në Prizren: një bastisje në rrugën “Turgut Ozal” dhe një bastisje në rrugën “Petrit Bytyqi”

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova materiale të rëndësishme për rastin, përfshirë: Para të gatshme: 20000 euro, një veturë Audi A8, ngjyrë e zezë, me targa vendore dhe dokumente të ndryshme, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

Rasti është duke u trajtuar në koordinim të plotë me Prokurorinë kompetente, ndërsa hetimet janë në zhvillim për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe shtrirjen e plotë të veprimtarisë kriminale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here