Kreu i emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë ka thënë se më të këqijat nga pandemia e koronavirusit – vdekjet, shtrirjet në spital dhe izolimet – mund të marrin fund sivjet, nëse adresohen shpejt telashet me vaksinim e mjekim.
Dr. Michael Ryan, duke folur në një panel të mbajtur nga Forumi Botëror Ekonomik për barazinë në vaksinim, ka thënë se “ndoshta virusit s’do t’i vijë fundi kurrë” sepse viruset pandemike “përfundojnë duke u bërë pjesë e ekosistemit”.
“Asaj që mund t’i japim fund është emergjenca shëndetësore publike”, ka thënë Ryan duke shtuar se ka gjasa që kjo të arrihet sivjet.
Ai po ashtu ka komentuar edhe debatin nëse tash COVID-19 duhet të konsiderohet endemi.
“Endemia në vetvete s’është diçka e mirë. Endemia nënkupton se do të jetë këtu përgjithmonë. Ajo që na duhet të bëjmë është të ulim incidencën me vaksinim masiv të popullit, ashtu që askush të mos vdesë. Ky është fundi i emergjencës, sipas meje”, ka thënë Ryan.
Zyrtarë shëndetësorë kanë paralajmëruar se do të jetë vështirë që të eliminohet COVID-19 dhe se ai do të vazhdojë të marrë jetë njerëzish, në shkallë më të vogla, edhe pasi të jetë vetëm endemi.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës anti-varfëri “Oxfam International” ka thënë se është urgjencë e jashtëzakonshme që të ketë shpërndarje më të drejtë të vaksinave.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve në Afrikë, është shprehur i revoltuar për faktin se vetëm 7 për qind e popullatës në Afrikë është vaksinuar tërësisht.