Ndihmës Sekretari i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James O’Brien dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do t’i drejtohen sot mediave përmes një video-lidhjeje, mëson gazeta online Reporteri.net.
Biseda do të jetë e fokusuar në Ballkan. O’Brien dhe Escobar do të diskutojnë edhe për 25-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në territorin e Kosovës ndaj objektivave ushtarake dhe policore serbe, dhe rrugën më të qëndrueshme dhe të sigurtë drejt Ballkanit Perëndimor.
Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, dje, në një deklaratë dhënë ekskluzivisht gazetës online Reporteri.net, tha se SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n, por, tha se Serbia edhe asnjë shtet tjetër nuk mund t’ua përcaktojë fqinjëve të vetë zgjedhjen e aleancave të sigurisë, duke iu kundërpërgjigjur kështu një kërcënimi të presidentit serb ndaj Kosovës.
Këto qëndrime i dha duke komentuar edhe një deklarim të fundit të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, që citohet të ketë thënë se “Serbia sot është më afër NATO-s sesa Kosova”.
“SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n. Në të njëjtën kohë në theksojmë se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n nëpërmjet KFOR-it dhe NALT dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera të sigurisë me shumë aleatë të NATO-s, përfshirë SHBA-në“, thekson Gabriel Escobar në një deklaratë të lëshuar të enjten, ekskluzivisht për gazetën online Reporteri.net.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor i është kundërpërgjigjur direkt edhe një mesazhi kërcënues të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nëse Perëndimi zgjedh Kosovën, “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.
Zyrtari i lartë amerikan, i ngarkuar me detyrë nga Presidenti Joe Biden për rajonin, e bën të qartë se asnjë shtet nuk mund ta pengojë tjetrin në orientimin e saj strategjik dhe zgjedhjen e aleancave të veta të sigurisë.
“SHBA-ja beson se të gjitha shtetet janë të lira për të përcaktuar vetë politikën e jashtme dhe të zgjedhin aleancat e veta të sigurisë. Asnjë shtet nuk duhet të pretendojë veto ndaj orientimeve strategjike të fqinjëve të vet“, tha Escobar.
Më 13 mars Escobar ishte në Kosovë. Para nisjes së vizitës në Kosovë, Escobar deklaroi se zbatimi i vendimit i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb, ishte “jokompetent” dhe “katastrofik”.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një konferencë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Zyrtari i lartë amerikan tha më vonë atë ditë se i ka prezantuar kryeministrit Albin Kurtit disa propozime për çështjen e dinarit, që udhëheqësi kosovar i ka premtuar se do t’i shqyrtojë. Të nesërme, njoftoi se Kurti nuk i ka pranuar propozimet e tij.
Escobar përsëriti qëndrimin amerikan për adresimin e menjëhershëm të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Rregullorja, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt. SHBA-ja e ka kritikuar këtë rregullore, duke thënë se nuk merr parasysh ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë.
Biseda e tyre sot do të zhvillohet online në orën 14:15, mëson gazeta online Reporteri.net.