Nxit pakënaqësi paralajmërimi për shtrenjtimin e energjisë

0
34

Me reagime të shumta është pritur propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, për shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind nga muaji prill. Me sloganin “Asnjë cent më shumë”, në rrjete sociale, ka nisur një fushatë për të kundërshtuar propozimin e ZRRE-së, për ngritje të çmimit të rrymës. E kritika për propozim të ZRRE-së kanë shprehur edhe përfaqësues të partive politike

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) për shtrenjtimin e çmimit të rrymës për 15 për qind nga muaji prill, ka ngjallur reagime të shumta.

Me sloganin “Asnjë cent më shumë”, në rrjete sociale, ka nisur një fushatë për të kundërshtuar propozimin e ZRRE-së, për ngritje të çmimit të rrymës.

Shqetësim ka ngritur edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.         
“Ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje te prodhuesit vendës. Një ngritje e tillë e çmimit, e bën sektorin privat në Kosovë më të pafavorshëm ndaj konkurrencës që vjen nga jashtë dhe kjo mund të përcillet me pasoja të tjera, siç janë: ulja e prodhimit dhe e numrit të punëtorëve”, thuhet në një reagim të saj.

Kritika për këtë propozim të ZRRE-së, patën edhe përfaqësues të partive politike.

Hykmete Bajrami, anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovë, ka thënë se tarifat e paralajmëruara do të jenë barrë shtesë për qytetarët.

“Fatura e prillit 2025 për të njëjtën sasi të energjisë do të jetë 15% më e lartë se ajo e prillit të vitit 2024 dhe kjo rritje nuk është e vetmja! Sepse me vendim të ZRRE-së, KESCO ka nisur procedurat për të detyruar të gjitha ndërmarrjet që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të dalin në treg të hapur. Pas gjithë kësaj, vendimi për ngritjen e tarifave edhe për 15% është krejt absurd, sepse: pasi bizneset e mëdha largohen nga KESCO, kërkesa për energji ulet, që logjikisht duhet të sjellë ulje të tarifave, por ZRRE-ja e abstrahon këtë fakt dhe vendos rritje tjetër të tarifave për 15%”, ka theksuar Bajrami,

E njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, thotë se ngritja e çmimeve të rrymës, ndikon në rritjen e çmimeve te produktet e tjera bazë. 
“Në këtë rast ndikon negativisht edhe në rritjen e produkteve elementare bazike të cilat ndikonë që të rriten edhe çmimet e produkteve elementare bazike të cilat e vështirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë Bellaqa.

Ndërsa njohësi i çështjeve të energjisë, Adhurim Haxhimusa, tregoi mënyrat se si mund të ndalohet trendi i rritjes së çmimeve.

“E vetmja formë se si Kosova ka mundësi ta ndalojë këtë trend të rritjes së çmimeve për konsumatorët është ndërtimi i impianteve të reja gjeneruese, por edhe zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të transmisionit dhe të distribucionit. Për më tepër duhet të kemi korniza më të mira rregullative të cilat i japin nxitje të mjaftueshme ekonomive shtëpiake”, ka thënë Haxhimusa.

Edhe Oda Ekonomike të Kosovës ka kundërshtuar këtë vendim. E për të hënën kryetari i saj ka paralajmëruar konferencë lidhur me shtrenjtimin e rrymës dhe kalimin e bizneseve të mëdha në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Vitin e shkuar, ZRRE-ja pati ulur për 3 për qind çmimin e tarifave të energjisë për konsumatorë komercialë dhe ata industrialë. 

E në vitin 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve dhe ato janë ende në fuqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here