Një fotografi e tri grave që u publikua nga Policia në Prizren, po del të jetë bërë me vendim të Prokurorisë.
Ky është arsyetimi i Policisë, të cilët thonë se janë detyruar që ta ndërmarrin këtë vendim për shkak të shterjes të të gjitha mundësive tjera për identifikimin e personave që dyshoheshin se vodhën një telefon.
Por, në njoftimin e Policisë ishte një tjetër lëshim – njëra nga personat u tha se është e dyshuar, e më vonë doli se ishte vetëm dëshmitare.
27 ditë i kanë pasur në dispozicion hetuesit e Policisë në Prizren për të identifikuar personat e dyshuar në këtë fotografi.
Por, këtë nuk kishin arritur ta bënin dhe e vendosën në faqen e Policisë në Facebook fotografinë për gratë që thanë se dyshohen se vodhën një telefon në një qendër tregtare, duke kërkuar ndihmë që të identifikohen.
Veprimi u kritikua në rrjetet sociale si linçim për shkak edhe të peshës së veprës penale por për më tepër Policia njoftoi më vonë se njëra nga personat nuk është as e dyshuar dhe se gabimisht i është ndryshuar statusi i dëshmitares.
Në Prizren, Policia nuk ka sqaruar si e bërë këtë gabim por shkurt treguan për vendimin që çoi në publikim të fotografisë.
“Dy grave të dyshuara për veprën penale ‘Shpërdorim i Pasurisë së huaj’ iu kanë publikuar fotografitë me autorizim të prokurorit pasi që janë shterrë të gjitha mundësitë tjera për t’i identifikuar”, kanë nga policia.
Megjithëkëtë, sipas ekspertëve të sigurisë, organet e drejtësisë kanë të drejtë kur ndërmarrin të tilla vendime.
“…në këtë aspekt Policia e Kosovës vepron në bazë të kërkesës drejtuar organeve përkatëse me pastaj e lëshojnë urdhrin që këto foto të publikohen në mënyrë që ata persona të vihen para drejtësisë sa më parë”, ka thënë Drizan Shala.
Sipas Policisë, pas publikimit të fotografive dy të dyshuarat janë lajmëruar vet në stacion dhe e kanë pranuar fajin./RTV Dukagjini/