Arianit Nushi nga LDK-ja në Prizren ka reaguar për gjendjen e stadiumit “Boka” në Korishë të Prizrenit, shkruan 04 Online.
Sipas Nushit, prej muajsh, një pjesë e stadiumit “Boka” në Korishë është jashtë përdorimit për shkak të rrëshqitjes së dheut, duke e dëmtuar fushën dhe pamundësuar aktivitetet sportive. Për më shumë, Nushi ka thënë se pavarësisht situatës, Komuna e Prizrenit nuk ka ndërmarrë masa për pastrimin e terrenit apo parandalimin e dëmeve të mëtejshme.
Reagimi i plotë i Arianit Nushit
Rreshqitje e dheut në stadiumin e Korishës – Komuna e Prizrenit vazhdon të heshtë!
Prej muajsh, një pjesë e stadiumit “Boka” në Korishë është bllokuar nga rreshqitja e dheut. Siç shihet në fotot, fusha është dëmtuar dhe hapësira sportive e komunitetit është bërë e papërdorshme.
Megjithatë, Komuna e Prizrenit nuk ka marrë asnjë masë për pastrimin e terrenit apo parandalimin e dëmeve të mëtejshme.
Ky stadium nuk është thjesht një fushë futbolli – është vend ku fëmijët dhe të rinjtë e fshatit kalojnë kohën, zhvillojnë talentin dhe qëndrojnë larg rrugës. Lënia e tij në këtë gjendje është tregues i qartë i mungesës së përgjegjësisë dhe kujdesit për nevojat e qytetarëve.
Kërkojmë nga Komuna e Prizrenit që menjëherë të ndërhyjë për të pastruar dheun, për të siguruar skarpata nga rreshqitjet e ardhshme dhe për të kthyer këtë hapësirë sportive në shfrytëzim për komunitetin.