Youri Tielemans ka nisur të mendojë seriozisht për të ardhmen, pasi “divorci” me Leicester City duket i pashmangshëm.
Tielemans ishte në qendër të vëmendjes edhe gjatë merkatos së janarit, por drejtuesit nuk hoqën dorë nga ai, me shpresën se Youri do të rinovonte, por edhe situata e klubit nuk jep shpresë, me Leicester që po vuan në kampionat dhe momentalisht qëndron në vendin e 19-të.
Kontrata e belgut skadon në verën e këtij viti, ndërsa bisedimet për rinovimin e kontratës nuk duken në rrugën e duhur dhe pritet që mesfushori të largohet nga “Dhelprat” gjatë merkatos së verës me parametra zero.
Arsenal është skuadra më e interesuar për shërbimet e 25-vjeçarit, me londinezët të cilët prej muajsh kanë nisur kontaktet me lojtarin.
Por, situata ka ndryshuar disi, kjo pasi në garë për shërbimet e belgut janë edhe Newcastle dhe Barcelona, me katalanasit të cilët po përshpejtojnë në negociata.
Tielemans ka luajtur më parë në Belgjikë edhe Francë, ndërsa së fundmi, burime pranë lojtarit kanë njoftuar dëshirën e mesfushorit për të provuar një eksperiencë të re dhe në këtë situatë, Barcelona favorizohet ndjeshëm.
Vera është shumë pranë dhe tani “topi” kalon te Tielemans, i cili do të vendosë për të ardhmen e tij, nëse do të qëndrojë në Premier League, apo do të nisë një aventurë të re larg Anglisë.