Agresioni kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë nuk ndalet paçka se vendi ynë ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin.
Pas goditjes të 15 Korrikut, hakerat e sponsorizuar nga Irani kanë vënë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare.
Top Channel mëson se sulmi është evidentuar nga specialistët e policisë mbrëmjen e të premtes rreth orës 22:00.
Menjëherë më pas është ndjekur protokolli fikjes të sistemit në mënyrë për mos ti dhënë mundësi avancimi hakerave, në marrjen nën kontroll të këtij sistemi, më i rëndësishmi për policinë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama bëri një koment në lidhje me të fundit sulm kibernetik kësaj here me shënjestër sistemin tim.
Sipas kryeministrit ky sulm i ri kibernetik vjen nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë.
“Sulmi është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të pa-penetrueshme sistemet tona digjitale” thekson kreu qeverisë shqiptare.
Tentativa për të vënë nën kontroll sistemin TIMS me qëllim final paralizimin e punës të policisë në pikat kufitare shqiptare ndodhi vetëm pak orë pasi departamenti thesarit amerikan shpalli sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë iraniane dhe ministrit të saj, me akuzën ata se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
SHBA akuzuan Iranin dhe përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, ndërsa sanksionet përfshijnë bllokimin e pronave të zyrtarëve dhe ministrive të mbajtura përgjegjëse.
Në deklaratën e lëshuar nga DASH thuhet se ata janë gjithashtu përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve që supozohej se ishin nga qeveria shqiptare dhe informacioneve personale të lidhura me banorët shqiptarë.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha se: “Ne po caktojmë Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit dhe ministrin e tij për përfshirje në aktivitete të aktivizuara kibernetike kundër SHBA-së dhe aleatëve tanë. Ne nuk do të tolerojmë sulme kibernetike që synojnë SHBA-në ose interesat, infrastrukturën ose shërbimet e aleatëve tanë”.