Nuk na përmbyti shiu. Na përmbyti papërgjegjësia.

0
195

Si nënkryetar i Eko Lëvizjes së Gjelbër të Kosovës, një subjekt politik ambientalist në nivel vendi, ndiej jo vetëm përgjegjësi politike, por edhe obligim moral për të folur hapur për atë që po ndodh në Kosovë pas vërshimeve të fundit. Vërshimet e fundit që goditën vendin, me dëme të mëdha në prona private dhe publike, nuk janë fatkeqësi natyrore. Janë pasojë direkte e mos përgjegjësisë sonë si shoqëri dhe, mbi të gjitha, e papërgjegjësisë institucioneve publike.

Në të gjitha rastet e vërshimeve, shkaktari kryesor është faktori njeri. Jo lumi. Jo shiu. Jo natyra. Njeriu.
Ndërtime publike pa mend, pa studime serioze hidrologjike, rrugë që presin shtratin e lumenjve, ura që ngushtojnë rrjedhën, nënkalime që shndërrohen në pishina, rregullime “moderne” të lumenjve që në fakt janë betonime barbare.

Ndërtime private pa kriter, pa leje ose me leje të blera, objekte të larta në zona të ndaluara, lagje të tëra mbi përmbytje të parashikueshme, beton mbi beton, derisa uji të mos ketë më ku të shkojë, përveçse nëpër shtëpitë tona.

Pastaj, kur uji hyn në shtëpitë e qytetarëve, pushteti del me çizme gome për fotografi. Flet për “situatë emergjente”, ndan premtime dhe zhduket. Asnjë zyrtar nuk mban përgjegjë. Asnjë projekt nuk hetohet. Asnjë model nuk ndryshon. Është e pafalshme mënyra se si e kemi dhunuar këtë vend. Me hajni dhe padije. Me arrogancë politike. Me një mendësi koloniale ndaj natyrës, sikur toka, lumenjtë dhe malet janë pronë e përkohshme e pushtetit.

Shkruan: Blerim SARAMATI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here