“Nuk lejojmë kthim prapa” – Kundërpërgjigja e Osmanit dhe paralajmërimi i Vuçiqit për konferencën e sotme

0
173

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u deklarua mbrëmë për kërcënimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se gjatë ditës së sotme mund ta shpallë Kosovën një territor të pushtuar. Osmani e paralajmëroi Vuçiqin se çkado që mund të synojë, do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të Kosovës.

Në një prononcim të enjten vonë, Osmani u shpreh se Vuçiqi mund të shpallë çfarë të dojë, por se realiteti i përhershëm është se Kosova është dhe do të mbetet përherë shtet i pavarur, sovran, demokratik e që do fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon.

“Shpresoj që këto fjalë të Vuçiqit, që tregojnë mendësinë e tij të vërtetë, që është trashëgimi e Millosheviqit, po dëgjohen nga bota mbarë, në veçanti nga disa që po shpresojnë se ai derisa e mban lëkurën e qengjit, nuk është ujku përbrenda.

Në fakt, është i njëjti njeri, që ka qenë ministër i propagandës së Millosheviqit, që ka menduar vetëm si t’i sulmojë e t’i shkatërrojë të tjerët. Kjo është logjika e vetme që mbizotëron në politikën e Serbisë për momentin dhe shpresoj që sa më parë që ta shohim dhe ta pranojmë këtë realitet, edhe shumë nga miqtë tanë në Evropë, aq më parë dhe aq më shumë do të kontribuojnë për paqen afatgjate në rajonin tonë.
Fytyra e vërtetë e Vuçiqit është ajo që i kërcënon shtetet fqinje me okupim. Nuk ka Vuçiq tjetër, nuk ka Vuçiq pro-paqe, por ka Vuçiq që shkakton destabilitet, që do ta kthejë rajonin prapa, por assesi nuk do ta lejojmë. Çkado që mund të synojë, do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të Kosovës sepse nuk ka kthim mbrapa, nuk lejojmë kthim prapa”, tha ajo në Klan.

“Presidenti i Serbisë mund ta shpallë Kosovën një territor të pushtuar” – kështu kanë raportuar media të shumta në Beograd lidhur me konferencën që do të mbajë Aleksandër Vuçiq të premten në orën 18:00.

Danas, Pravda, versioni ballkanik i Russia Today dhe media të tjera serbe, duke cituar burime pranë lidershipit shtetëror serb, theksojnë se ky opsion është mes atyre që po shqyrtohen nga Vuçiq.

”Në tavolinë është opsioni i shpalljes së okupimit të një pjese të territorit të Republikës së Serbisë, që sjell pasoja të shumta, duke përfshirë përgatitjet për kthimin e zonave të okupuara, për shkak të terrorit me të cilin po përballet populli ynë në Kosovë prej vitesh dhe që është përshkallëzuar ditët e fundit”, raportojnë mediat serbe./GazetaSinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here