Qeveria e Kosovës është kritikuar për performansën e dobët të saj pas publikimit të të dhënave që tregojnë se sa pak janë shpenzuar paratë për investimet e planifikuara kapitale. Deputetja e LDK’së Hykmete Bajrami ka thënë se duke mos i futur paratë në ekonomi pushteti po i privon qytetarët nga ndërtimi i shkollave, rrugëve, qerdheve dhe projekteve tjera infrastrukurore. Ndërsa, deputeti i PDK’së Ferat Shala i ka quajtur praktikantë ministrat e Qeverisë Kurti, të cilët sipas tij s’kanë pasur mundësi as t’i njohin problemet shtetërore.
Partitë opozitarë (LDK dhe PDK) kanë adresuar kritika ndaj qasjes së Qeverisë së Kosovës për mungesën e investimeve kapitale. Ata thonë se ”ekzekutivi ka bllokuar gjithçka“, rrjedhimisht shumë projekte kanë ngecur duke e dëmtuar ekonominë e vendit.
Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se paratë po mbahen jashtë qarkullimit. Ajo ka thënë se janë 285 milionë euro të cilat është dashur të hyjnë në ekonomi gjatë vitit 2022, por kjo s’ka ndodhur.
”Janë rreth 285 milionë euro të cilat është dashur të hyjnë në ekonomi vitin e kaluar por fatkeqësisht janë mbajtë jashtë qarkullimit, kështu nga 704 milionë euro të parapara për investime kapitale janë shpenzuar vetëm 419, duke përfshirë këtu edhe 88 milionë euro pagesa avans“, ka thënë ajo.
Bajrami ka ironizuar duke thënë se pikërisht këto 285 milionë euro janë shuma me të cilën Qeveria e ka “përmirësuar“ deficitin buxhetor.
”Këto 285 milionë janë ato me të cilat Qeveria e ka “përmirësuar” deficitin buxhetor por i ka privuar qytetarët nga shkollat, rrugët, qerdhet dhe shumë projekte të tjera infrastrukurore të cilat do të duhej të ndërtoheshin gjatë vitit të kaluar, njëherit e ka dobësuar sektorin privat duke i mbajtë jashtë qarkullimit të ekonomisë 285 milionë euro në kohë inflacion dyshifror“, ka thënë ish-ministrja e Financave.
Për më tepër, ajo ka akuzuar ekzekutivin se ka neglizhuar çështjen e Organit Shqyrtues të Prokurimit ose siç njihet ndryshe Gjykatën e Tenderëve dhe se nuk e ka adresuar as çështjen e inflacionit, i cili siç dihet po ashtu ka arritur shifra rekorde.
”Qeveria ka bllokuar Organin Shqyrtues të Prokurimit për rreth një vit dhe nuk e adresoi çështjen e inflacionit deri në fund të vitit, e këtë të fundit edhe kur tentoj siç duket dështoj sepse ka nxjerrë një Ligj që është vështirë i implementushëm në praktikë“, ka deklaruar ajo.
Ministria e Financave ”kampione“ e mungesës së investimeve
Bazuar në një tabelë të dhënash të publikuar nga Instituti GAP, më 10 prill vihet në pah se Ministria e Financave ka shpenzuar vetëm 2 për qind të mjeteve të destinuara për investime kapitale.
Për ish-ministren e Financave, Hykmete Bajrami nuk është befasi qasje të cilën e ka ministri aktual i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
”Thënë të gjitha këto nuk është befasi fakti se kampion i nënshpnzimeve kapitale është Ministria e Financave me vetëm 1 milion euro të shpenzuara nga 50.4 milonë sa ishin parashikur“, ka deklaruar Bajrami.
Por, për çështjen e investimeve kapitale shqetësime ka edhe Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili ka thënë për Gazetën Express se ky është një keqmenaxhim i skajshëm i Qeverisë.
”E kemi rastin te Ministria e Financave që është 2 deri në 5 për qind. Ky është një shqetësim i jashtëzakoshëm, është një keqmenaxhim i skajshëm, është një dëm për ekonominë e vendit, është një humbje 1-vjeçare e gjitha investimeve dhe si rezultat i ndërprerjes së këtyre investimeve sot kemi një krizë ekonomike, një ndërprerje projektesh. Parimisht ndërmarrjet të caktuara që do të duheshin që këto mjete t’i implementonn projektet janë të papunë, numri i papunëe është rritë dhe po kërkojnë alternative tjera“, ka thënë deputeti opozitar.
Krejt ky funksionim i Qeverisë sipas Shalës është jashtë logjikës ligjore.
“Qeveria ka krijuar një situatë ekonomike jashtë logjike dhe jashtë çdo parimi ekonomik. Ligjet janë të qarta dhe nuk mund të jetë ndryshe pos paaftësi dhe keqmenaxhim“, ka thënë ai.
Sipas Shalës, “po vërtetohet se Qeveria Kurti është në fazën e praktikantëve ku nuk kanë pasur as mundësi që t’i njohin problemet shtetërore”.
Çfarë thotë Instituti GAP për investimet kapitale të ministrive?
Ministria që i ka shpenzuar më së pakti mjetet për investime kapitale është ajo e financave me vetëm 2 për qind, më pas pason Ministria e Industrisë 16 për qind, e ndjekur për të keq nga Ministria e Ekonomisë 38 për qind.
Ministria e Kulturës dhe Punëve të Jashtme me 40 për qind përmybllin 5shen e atyre ministrive që më së paku kanë shpenzuar.
Ndërkaq më së shumti ka investuar Ministria për Komunitete dhe Kthim 98 për qind si dhe ajo e mbrojtjes 94 për qind.