“Nuk i kemi vendosur, por s’i heqim”, Vuçiq bie në lajthitje lidhur me deklaratat për vendosjen e barrikadave

0
230

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar vazhdimisht se Beogradi dhe qeveria e tij nuk qëndrojnë pas barrikadave në veri të Kosovës, por të mërkurën, një deklaratë e tij e dhënë për mediat e vë këtë në pikëpyetje.

Barrikada u vendosën qe gati dy javë në rrugët kyçe që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, duke shkaktuar tensione të konsiderueshme midis Prishtinës dhe Beogradit.

Të dielën e 11 dhjetorit, një ditë pasi disa serbë lokalë ngritën barrikada dhe bllokuan rrugë në Rudarë, Vuçiq bëri thirrje për paqe the shtensionim të situatës.

“U bëj thirrje serbëve në veri [të Kosovës] që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve”, tha ai pas një takimi të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.

Vuçiq madje, tha se “është i tronditur me deklaratat e disa zyrtarëve evropianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”, shkruan Reporteri.

“Askush prej Beogradit nuk i ka urdhëruar barrikadat”, tha ai.

Por të mërkurën, ai u tha mediave pas një takimi në Azerbajxhan se barrikadat do të hiqen vetëm nëse plotësohen disa kushte, kushte që janë në përputhje me kërkesat e qeverisë serbe.

“Fillimisht formoni Asociacionin e komunave serbe, pastaj do t’i heqim barrikadat”, u tha Vuçiq gazetarëve në Azerbajxhan, ku po qëndroi për vizitë dy-ditore.

Kushte për heqjen e barrikadave vuri edhe udhëheqësi i të ashtuquajturit Shtabi i Krizave në pjesën veriore të barrikaduar të vendit, Goran Rakiq.

“Nga këtu, prej Rudares, po i jap [Kurtit] një formulë shumë të thjeshtë për heqjen e barrikadave. Lironi të gjithë serbët e arrestuar, hiqni të gjitha njësitë policore nga veriu i Kosovës, hiqni listat sekrete dhe çfarëdo liste për vrasjen e serbëve”, ka thënë në një videomesazh Goran Rakiq.

Po ky shtab i ashtuquajtur i krizave, bëri thirrje për protestë sot  pas kinse “kërcënimeve të fundit të Albin Kurtit”, i cili, sipas tyre, bëri thirrje për zhdukjen e popullit serb dhe vrasjen e serbëve në barrikada.

Thirrja, shtojnë ata, është edhe për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë të Kurtit nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili foli për afate se kur barrikadat duhet të largohen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here