Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nënkupton normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën por jo edhe njohjen “de jure” të saj.
Para Senatit amerikan – të cilët duhet ta konfirmonin për ambasador të ShBA-së në Serbi, Hill dikur saktësonte se çka ishte “më e rëndësishmja nga të gjithë” për vendin ku do të shkonte të shërbente. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën si “parakusht për anëtarësimin eventual të Serbisë në Bashkimin Evropian”.
Më 14 dhjetor 2021, thoshte se ky normalizim raportesh duhet të përkthehet në “njohje të ndërsjellë” dhe se “urgjentisht do të angazhohem” në këtë drejtim.
“Më e rëndësishmja – si parakusht për pranimin eventual në BE – Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si shansi më i mirë për të dyja palët për të zgjidhur mosmarrëveshjet e pazgjidhura”.
“Siç ka thënë Presidenti Biden, Shtetet e Bashkuara besojnë se ‘njohja reciproke’ është mënyra më e mirë për të zhbllokuar potencialin evropian të Serbisë dhe për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Nëse konfirmohet, unë do ta inkurajoj Serbinë që të angazhohet seriozisht dhe urgjentisht për të arritur një kompromis”.
Hiç më larg se sot ambasadori Hill në një intervistë për “NiN” dha një qëndrim tjetër.
Ai u pyet: “Marrëveshja e Ohrit nuk pret njohje de jure të Kosovës nga Serbia. Megjithatë, a mendoni se Serbia do të duhet ta bëjë këtë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian?”
Hill: “Nuk mendoj kështu. Ajo që kërkojnë evropianët është pikërisht ajo që ata thonë se kërkojnë dhe kjo është normalizimi. Ata duan paqe dhe siguri në rajon, dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufijtë që ndajnë, por kufijtë që bashkojnë, kufijtë që vërtet i bashkojnë njerëzit dhe shpresoj që njerëzit të kuptojnë se çfarë po themi në të vërtetë këtu për të ardhmen dhe se si do të jetë jeta e njerëzve. Dhe kjo është arsyeja pse unë do të doja të shihja shumë më tepër përparim në frontin e normalizimit, dhe është e qartë se BE-ja e ka gjithashtu këtë në mendje”.
Vitin e kaluar Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ranë dakord në Bruksel dhe në Ohër për një marrëveshje normalizimi, që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, cka është konsideruar njohje de fakto por jo de jure.
Marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese si dhe të përmbushin të gjitha marrëveshjet arritura më parë mes tyre.
Me 22 prill, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan ndryshimet në kapitullin e 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë, duke i bërë pjesë të tij detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Udhëheqja e bllokut ka theksuar se është çështje e vendeve anëtare nëse “normalizimi i marrëdhënieve” nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa ndërmjetësuesit e bisedimeve mbajnë qëndrim të paanshëm.
Me 27 tetor të vitit të kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që të njohë ‘de-facto’ shtetësinë e Kosovës, që nënkupton zbatimin e parimeve të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
Por, procesi i themelimit të Asociacionit ende nuk ka filluar, ndërsa Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ apo ‘de jure’ të Kosovës.
Të hënën ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha se përfundimi i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe çdo gjë më pak, nuk përmbush synimet për një Evropë të lirë e në paqe”.