Njohja e Kosovës nga Ukraina, temë diskutimi në Kiev

0
272

Lajme pozitive se Ukraina mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, kanë ardhur ditëve të fundit nga Kievi. Ligjvënësit ukrainas janë pro njohjes së Kosovës. Mes tyre kreu i Komisionit për politikë të jashtme të Ukrainës a Oleksandr Merezhko, tha për RTK-në se vendimi final i takon presidentit Volodymyr Zelensky.

“Para se të marrim një vendim të tillë duhet të peshojmë pluset dhe minuset për t’i marrë në konsideratë dhe pasojat politike. Por, vendimi përfundimtar i takon vetëm presidentit, jo parlamentit. Ne deputetët nuk vendosim për këtë çështje, megjithatë, ne përfaqësojmë popullin, ne kemi zërin e popullit të Ukrainës, dhe njerëzit në Ukrainë e shohin shumë qartë se Kosova është në anën e Ukrainës dhe për Serbinë ju e dini se Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Në Serbi shohim simpati ndaj Rusisë. Në Serbi, për fat të keq, shohim një zhvillim të marrëdhënieve me Rusinë, i cili është shqetësues për ne, dhe sigurisht që ka ndikim tek votuesit tanë”, ka deklaruar deputeti Merezhko.

Se a do të ndodhë njohja nga Ukraina pas përfundimit të luftës atje, Merezhko derisa thotë se është vështirë të pretendohet qysh tani, megjithatë shprehet optimist se kjo mund të ndodhë.

“Shumë çështje që duken problematike ose të diskutueshme në Ukrainë, priren të shtyhen deri në fund të luftës. Tani ne jemi të shqetësuar për mbijetesën tonë, po luftojmë kundër një armiku shumë të fuqishëm dhe për këtë arsye, ne priremi të shtyjmë disa çështje të vështira dhe të ndërlikuara, por në të njëjtën kohë e shohim, përsëri po flas nga një këndvështrim politik këtu, ne mund të shohim se aleatët tanë që na ndihmuan për të mbijetuar, ata e mbështesin Kosovën, ata tashmë e kanë njohur Kosovën dhe është një nga argumentet në favor të njohjes. Por, një çështje tjetër, shumë do të varet nga politika e Bashkimit Evropian. Ukraina është një kandidate për t’u anëtarësuar në BE, po ashtu, ne duhet të koordinojmë politikën e jashtme me BE-në. Shumë do të varet nga qëndrimi i BE-së në lidhje me Kosovën”, deklaroi ai.

Për njohjen e pavarësisë së Kosovës po punojnë edhe gazetarët ukrainas në Kosovë.

Gazetarja Lyudmila Makey, tha se populli dhe politikanët në Ukrainë janë të interesuar të mësojnë më shumë për Kosovën pasi që sipas saj Serbia kishte bërë shumë propagandë. 

“Para se të vinim në Kosovë kemi pasur një vakuum, kemi pasur shumë pak informata, ka qenë e mbuluar e gjitha me filtrim të Serbisë. Qytetarët ukrainas kanë shumë interes për Kosovën dhe kur postojë materiale për Kosovën kam parë se ka shumë interesim që Ukraina ta njohë Kosovën. Materialet tona lexohen edhe nga politikanët në Ukrainë, të cilët kanë shumë interesim për këtë shtet dhe në njëfarë forme ne ua hapim sytë për çka ndodhë dhe çka është Kosova. Para një jave kemi pasur bashkëbisedim me një profesor shumë të njohur nga Kievi, që i ka vlerësuar materialet tona nga Kosova dhe këto materiale u shpërndanë në media shumë të njohura atje. Ai është i bindur që Ukraina do ta njohë Kosovën, menjëherë pas luftës”, tha Makey, gazetare nga Ukraina, në Kosovë

Ndërkaq, kryeministri I Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeveritar tha se Ukraina është  përfshirë në letrën që mbi 50 deputetë ia dërguan kryediplomatëve të BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar qasje më të ekuilibruar dhe më proporcionale të bashkësisë ndërkombëtare me Kosovën dhe Serbinë”.

Edhe ambasadori i Ukrainës në Beograd, Volodymyr Tolkach, një ditë më parë tha se gjithnjë e më shumë në Ukrianë po rriten zërat për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se disa deputetë të Parlamentit të Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Ai po ashtu e pranoi se kjo nuk është befasi pasi që lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here