Njohësit e sigurisë janë shprehur skeptik se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit mund të mbahen më 23 prill. Ata thonë se pas djegies së veturave atje dhe arrestimit të një serbi, mund të shtohen tensione të tjera. E për shkak të kësaj, sipas tyre zgjedhjet mund të shtyhen ose të mos mbahen fare.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit mund të shtyhen ose të mos mbahen fare.
Kështu kanë vlerësuar njohësit e sigurisë, pas incidenteve të fundit atje.
Nga ana tjetër, ata thonë se mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje dhe thirrja e saj për rezistencë ndaj rendit kushtetues, përbën shkelje të kodit penal.
Sipas njohësit, Nuredin Ibishi të gjitha incidentet e krijuara deri më tani janë të orkestruara nga Beogradi që synim kanë destabilizimin e veriut.
Ndërkaq, nga Instituti për Afirmim të Marrëdhënieve Ndëretnike kanë thënë se takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në fund të prillit në Bruksel, mund të ndikoj në mos destabilizim të vendit.
Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit. Por ditë më parë qytetarëve serbë u janë djegur 8 vetura me tabela RKS, e lidhur me këto incidente Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar.
Ndërkohë, është raportuar se në Rashkë të Serbisë po zhvillohen stërvitje që qëllim kanë destabilizimin e veriut.
Për këto zhvillime, kanë reaguar edhe ndërkombëtarët ku incidentet e fundit i kanë quajtur veprime të papranueshme e të cilat duhet dënuar./Gazeta10