Njihuni me mbrojtësin “bomber”, që kryeson renditjen e golashënuesve në Europa League

0
329

Kur flasim për një mbrojtës goleador, të gjithëve na shkon mendja te Sergio Ramos, i cili dërgonte shpesh topin në rrjetë, sa nga pika e bardhë e penalltisë, aq edhe nga goditjet standard, pasi është mjaft i fortë në luftën në ajër.

Megjithatë shumë pak dinë për James Tavernier, mbrojtësin goleador të Glasgow Rangers, i cili në 5 sezonet e fundit ka prekur shifrën e 62 golave, teksa dy të fundit i shënoi mbrëmjen e djeshme në Europa League ndaj Bragës, duke u shfaqur si protagonist kryesor në kualifikimin e skocezëve për në gjysmëfinalet e kompeticionit.

Jo vetëm kaq, por me dopietën ndaj portugezëve, Tavernier u ngjit në krye të listës së golashënuesve të Europa Leagues me 6 gola të shënuar, po aq sa Togo Ekambi i Lyonit dhe Galeno i Bragës, por që të dy këta janë eliminuar nga kompeticioni dhe nuk do të kenë mundësi të vijojnë garën.

I lindur në Brentford të Anglisë, 30-vjeçari iu bashkua Rangers në sezonin 2015-2016 dhe tani mban edhe shiritin e kapitenit, teksa që atëherë ka shënuar një total prej 79 golash në 338 ndeshje, shifra këto për t’u pasur zili nga shumë sulmues.

Që në sezonin e tij të parë me klubin skocez, Tavernier tregoi nuhatjen e tij për golin, pasi shënoi 15 herë në 50 ndeshje, teksa vlen të theksohet se vetëm në 3 nga 7 sezonet, e ka mbyllur me numër një shifror golash të shënuar.

Në gjysmëfinale Rangers do të përballen me klubin gjerman të Leipzig dhe objektivi i Tavernier do të jetë padyshim gjetja e golit, për të çuar të tijtë në finale dhe në të njëjtën kohë, për të shkruar historinë si i pari mbrojtës që fiton betejën e golashënuesve të kompeticionit./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here