Një tjetër trofe në koleksion, Manchester City kampion i Kupës së Botës për Klube

0
216

Manchester City nuk hasi pengesa në finalen e Kupës së Botës për Klube përballë brazilianëve të Fluminense duke i mposhtur këta të fundit me rezultatin 4-0. “The Citizens” e bënë shpejt të ditur se kush ishte padroni i fushës në Jeddah të Arabisë Saudite teksa Julian Alvarez shënoi kur ende nuk ishte mbushur një minutë lojë.

Nathan Ake rikuperoi një top në mesfushë, avancoi dhe goditi me sferën që u ndal në shtyllë, por aty ishte Alvarez i cili me gjoks e përcolli topin në rrjetë. Goditje e madhe psikologjike për brazilianët që në të 27-tën pësuan edhe të dytin.

Këtë herë ishte një autogol teksa Nino devijoi gabimisht në portën e tij një top të Phil Foden. Anglezët e mbyllën kështu të qetë fraksionin e parë ndërsa në të dytin menaxhuan avantazhin dhe energjitë.

Madje, shënuan të tretin falë Foden që devijoi saktësisht një asist të Alvarez.

Ndërkohë që në minutat e fundit erdhi edhe goli i katërt falë Alvarez që realizoi edhe dygolëshin personal duke rezultuar padyshim si njeriu i ndeshjes në radhët anglezëve.

Në këtë formë, City festoi trofeun e parë të Kupës së Botës për Klube me Pep Guardiolën që udhëheq skuadrën në të tjera arritje historike, teksa për vetë spanjollin ky ishte titulli numër 15 në krye të “The Citizens”, ekip që e drejton prej vitit 2016./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here