Një tjetër skuadër nga Premier League ka shprehur interesim për transferimin e yllit të Wolves, Matheus Cunha, gjatë verës, sipas një raporti të fundit nga talkSPORT.
25-vjeçari ka munguar në katër ndeshjet e fundit të Wolves për shkak të pezullimit, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e Kupës FA kundër Bournemouth në raundin e pestë.
Pavarësisht se skuadra ka mbetur e pamposhtur gjatë mungesës së tij, Cunha ka qenë lojtari më i mirë i Wolves këtë sezon, duke shënuar 15 gola në të gjitha garat.
Kontrata e tij u rinovua në shkurt dhe tani është e vlefshme deri në vitin 2029. Me marrëveshjen e re është përfshirë edhe një klauzolë lirimi prej 62.5 milionë funte, e cila tashmë ka tërhequr interesimin e tre skuadrave të ndryshme.
Nottingham Forest vazhdon të jetë shumë e interesuar për lojtarin, ndërsa Manchester United është klubi më i fundit që ka shprehur dëshirën për ta transferuar atë.
Sipas burimeve pranë lojtarit, Cunha preferon t’i bashkohet një klubi nga ‘top gjashtë’, edhe nëse Forest do të arrijë kualifikimin në Ligën e Kampionëve – sipas gazetarit Ben Jacobs.
Raporti gjithashtu përmend se Arsenali i Mikel Arteta-s ka ndjekur nga afër situatën e Cunhës, por për momentin prioritetet e tyre janë Viktor Gyökeres dhe Nico Williams.
Në anën tjetër, Manchester United po kërkon një “numër 10” që do t’i përshtatej sistemit 3-4-2-1 të Ruben Amorim, dhe Cunha i përshtatet këtij profili.
Agjenti i Cunhës pritet të udhëtojë së shpejti drejt Anglisë për të zhvilluar takime ballë për ballë me klubet e interesuara për transferimin e lojtarit gjatë verës, sipas raportit të talkSPORT.
Braziliani pritet të rikthehet në aksion këtë fundjavë në përballjen e Wolves kundër Tottenham, ku padyshim shumë sy do të jenë të drejtuar drejt tij.