Një pjesë e OJQ-ve përfituese ende presin ekzekutimin e subvencioneve nga DKRS-ja në Prizren

0
104

Mjetet financiare nga kategoria e subvencioneve të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ende nuk janë bartur tek një pjesë e organizatave joqeveritare, që janë shpallur përfituese në bazë të thirrjes së publikuar në fillim të këtij viti.

Zyrtarët komunalë kanë pohuar se pjesa më e madhe e subvencioneve janë ekzekutuar dhe se ka mbetur edhe një pjesë e vogël pa u përmbushur për shkak të mungesës së mjeteve financiare në buxhetin komunal.

Gjatë javës së shkuar, Telegrafi ka pranuar një ankesë në të cilën thuhet se DKRS ka ekzekutuar mjetet për OJQ-të e preferuara, derisa një pjesë e madhe e tyre ende nuk i kanë pranuar fondet, ani pse janë shpallur përfituese.

Çështja në fjalë është adresuar edhe në seancën e Kuvendit të Komunës së Prizrenit të mbajtur të mërkurën.

Kuvendari Ilir Gashi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar sqarime nga drejtori i DKRS-së, Adem Morina.

“Subvencionet në drejtorinë e juaj, ka organizata që ende nuk kanë pranuar mjete. Çka është problemi? Kur pritet me u kry kjo?”, ka pyetur Gashi, raporton Telegrafi.

Drejtori i DKRS-së, Adem Morina ka pranuar se ka përfitues që ende nuk i kanë pranuar mjetet financiare.

“Në lidhje me subvencionimin e klubeve apo organizatave, nuk ka përfunduar akoma, dhe ka një mbetje të pagesave, ku shpresojmë që shumë shpejtë brenda këtij viti ti përfundojmë edhe ato pagesa”, ka thënë Morina.

Zyrtari i lartë komunal në një përgjigje për Telegrafin ka theksuar se “mbi 90% të subvencioneve janë ekzekutuar”. “Presim që pjesa e mbetur të kryhet shpejtë”, ka deklaruar Morina.

Publikimi i listave përfundimtare të përfituesve nga thirrja e DKRS-së si dhe Drejtorisë së Turizimit dhe Zhvillimit Ekonomik, kishte nxitur reagimin e OJQ-së “EC Ma Ndryshe” në në muajin maj të këtij viti, raporton Telegrafi.

Kjo organizatë pati theksuar se njoftimet e këtyre drejtorive nuk i përmbushin kërkesat për transparencë të mirëfilltë, pasi në to figurojnë vetëm titujt e projekteve dhe përfituesit, dhe se aty nuk janë të përfshira edhe kriteret e vlerësimit, anëtarët e komisioneve, shuma financiare e përkrahur nga drejtoria, përshkrimi i shkurtër i projektit si dhe rezultatet e pritura. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here