Ministria e Arsimit, ka ndarë për vitin 2022 grantin prej 1 milion e 700 mijë euro për mësimdhënësit me probleme shëndetësore, nga i cili do të përfitojnë rreth 300 mësimdhënës.
Kjo ministri është duke punuar në rregulloren që përcakton saktë se si do të veprohet, ndërsa Sindikata e Arsimit, beson se një buxhet i tillë, do të vazhdojë të ndahet çdo vit për mësimdhënësit që kanë probleme të tilla.
Për herë të parë sivjet është ndarë një buxhet për mësimdhënësit që kanë probleme shëndetësore. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se granti prej 1 milion e 700 mijë euro, do të ndahet për ata mësimdhënës që kanë vështirësi në zhvillimin e mësimdhënies së rregullt për shkak të problemeve që kanë me shëndetin.
Zëdhënësja e kësaj ministrie, Iliriana Pylla, tha për Radio Kosovën se tashmë janë duke punuar në infrastrukturën ligjore, që secili mësimdhënës ta kryejë punën e vet pa shqetësimet që ia sjell shëndeti.
“Ministria e Arsimit është duke punuar në rregulloren që i përcakton saktë detajet se si do të veprohet dhe se cili mësimdhënës mund të trajtohet si i tillë”, tha ajo.
Një kërkesë e tillë për mbështetje të mësimdhënësve me probleme shëndetësore ka qenë para disa viteve edhe nga Sindikata e Arsimit, e cila tani i është gëzuar këtij lajmi.
Ymer Ymeri, nga kjo Sindikatë, tha për Radio Kosovën se janë rreth 300 mësimdhënës në nivel vendi që kanë probleme shëndetësore.
“Nëse i llogarisim me numër dhe i ndajmë sipas pagave të plota, i bie që janë rreth 330 mësimdhënës, që mund të mbulohen me këtë fond. Është një numër që besoj se i mbulon të gjithë të sëmurit me sëmundje kronike, të cilët do të përcaktohen në bazë të një udhëzuesi që është duke u përpiluar në Ministrinë e Arsimit, ku pjesë e komisionit jam edhe unë nga SBASHK-u”, tha ai.
Sindikata e Arsimit beson se një buxhet i tillë do të vazhdojë të ndahet çdo vit për mësimdhënësit që kanë probleme shëndetësore.
Ndërkohë, shumë mësimdhënës me probleme të tilla e kanë mirëpritur këtë vendim. Edhe pse nuk dëshiruan të flasin para mikrofonit, ata u shprehën se granti i ndarë do t’ua lehtësojë punën e tyre dhe mbulimin e problemeve që kanë.