Përdorimi i të nxehtit dhe të ftohtit është një metodë qetësuese natyrale për dhimbjet e lindjes. Përdorimi i tyre ka për qëllim që ju të ndiheni më rehat dhe të qetësoheni.
Ndoshta mund të keni dëshirë të përdorni kombinimin e të dyja këtyre metodave. Të nxehtët çliron tendosjen e muskujve dhe mund ta aplikoni duke përdorur një jastëk me korrent, peshqir të ngrohtë, kompresë të nxehtë, shishe me ujë të nxehtë, ose një qese apo çorape të mbushur me oriz të nxehtë. Për të lehtësuar dhimbjet, mund ta aplikoni edhe mbi shpatulla, në pjesën e poshtme të barkut dhe në shpinë. Nga ana tjetër, mund të përdorni edhe një kanoçe të ftohtë, një kompresë të ftohtë ose një qese me akull. Për të lehtësuar dhimbjet, disa grave u pëlqen të mbajnë një kompresë të ftohtë në fundshpinë. Gjithashtu, një cohë e ftohtë dhe e lagur në fytyrë, mund t’ju ndihmojë në uljen e tensionit dhe t’ju freskojë gjatë dhimbjeve të lindjes.
Dush ose banjë: në shumë maternitete, sallat e lindjes janë të pajisura me dushe. Disa madje janë të pajisura me vaska të thjeshta ose me hidromasazh, për të lehtësuar dhimbjet e lindjes. Uji i ngrohtë ju ndihmon së tepërmi, duke bllokuar ngacmimet e dhimbjeve në tru.
Këtë gjë, mund ta bëni në shtëpi, para se të niseni për në maternitet apo në klinikën ku do të lindni. Nëse do të bëni dush, mund të uleni në një karrige dhe ta drejtoni kokën e dushit që uji t’ju bjerë mbi shpinë apo bark.