Sot më ra rasti të dëgjoj një këngë kushtuar atdhetarit Hajdar Morina, kënduar me shumë ndjenjë nga dy këngëtarët e njohur Përparim Brati dhe Avni Metalia. Ishte një përjetim i veçantë, sepse kjo këngë nuk ishte thjesht vargje e melodi, por një gur kujtese për një burrë që la gjurmë të pashlyeshme në shoqërinë tonë.
Për shumë vite pas luftës së Kosovës, kam punuar si mësimdhënës i psikologjisë në Prizren. Në këtë rrugëtim profesional, pata fatin të njoh djalin e Hajdar Morinës, profesor Qazim Morinën. Si psikolog, por edhe si njeri që është lidhur ngushtë me shumë kolegë nga Hasi, shpeshherë bisedat tona shkonin përtej punës, duke ndalur tek familjet, rrënjët dhe fiset tona. Dhe gjithmonë, kur përmendej emri i Hajdar Morinës, fjala ishte e mirë, fjala ishte e respektit: për dinjitetin, përkushtimin dhe ndershmërinë e tij.
Kjo është ajo që që neve si psikologë përpiqen të njohin njerëzit jo vetëm nga afër, por edhe përmes kujtimeve të të tjerëve, përmes trashëgimisë morale që ata lënë. Dhe Hajdar Morina del para nesh pikërisht si një figurë e tillë: një atdhetar që i dha shumë vendit, një prind që la pas një familje me vlera, një burrë që shënoi kohën e tij me virtyte që edhe sot ruhen e respektohen.
Kur dëgjova këtë këngë, ndjeva se dy këngëtarët i kishin dhënë hakun e merituar figurës së tij. Kënga u bë si një perlë artistike që i shtohet kujtesës kolektive, por njëkohësisht si një urë mes brezave – për të kujtuar se burrat e vërtetë nuk jetojnë vetëm në histori, por edhe në çdo vlerë që trashëgohet nga bijtë e tyre, nga familjet e tyre dhe nga shoqëria që i nderon.
Shkruan: Dr. Sc. Batjar Halili
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online