Tetë ditë na ndajnë deri në takimin e radhës mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Ky takim do të mbahet të shtunën më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Sinjali.
Kryeministri Kurti gjatë takimit të djeshëm me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është shprehur i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me fqinjin verior.
“Ai [Kurti] shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit.
Ndërkaq, Lajçak tha për mediat se me Kurtin zhvilloi një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.
“Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst”, ka theksuar Lajçak.
Lidhur me takimin në Ohër foli edhe presidenti Vuçiq, i cili refuzon kategorikisht “të nënshkruajë kapitullimin e Serbisë”.
“Ju do të shihni një takim 30-minutësh, por unë do të kaloj dy ditë duke punuar me të dhe duke u përpjekur të gjej një lloj rruge në përparimin drejt normalizimit,” tha Vuçiq.
Vuçiq ka përsëritur pohimet se, siç është shprehur ai, kryeministri i Kosovës është i vendosur që të mos e formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Që është e lehtë për të, tregon vendimi për heqjen e vizave të BE-së për qytetarët e të ashtuquajturës Kosovë. Momenti në të cilin po ndodh kjo tregon se ata nuk janë të gatshëm të bëjnë presion ndaj Kurtit, por po e inkurajojnë atë të mos i kryej obligimet e tij”, ka thënë Vuçiq.
Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Sipas BE-së, në Ohër, Lajçak dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiq, dhe më pas takimi trilateral do të përqendrohet në finalizimin e planit të zbatinmit të propozimit evropian.
Pavarësisht se e pranuan planin, që Kosovës dhe Serbisë fillimisht u ishte dorëzuar vitin e kaluar, Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan dokumentin gjatë takimit të 27 shkurtit.
Kurti deklaroi se ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas tij, këtë gatishmëri nuk e pati pala serbe.
BE-ja ka thënë se Lajçak, përmes vizitave në Kosovë dhe Serbi, do të ndihmojë palët që të finalizojnë diskutimet për planin e zbatimit të propozimit evropian.
Blloku evropian ka thënë se pret që puna për zbatimin e propozimit të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.
Propozimi evropian synon që të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dokumenti prej 11 nenesh – që u bë publik më 27 shkurt nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Ky dokument, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.
Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së. Por, palët kanë pikëpamje të ndryshme rreth marrëveshjes përfundimtare. Përderisa Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.