Kampanja e re në Ligën e Kombeve nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Kombëtaren e Kosovës.
Dardanët e mbyllën muajin shtator me një fitore e një humbje, por edhe me shumë turbullira brenda kampit.
Fillimisht, ekipi i Franco Fodës pësoi humbe të thellë 0:3 nga Rumania në shtëpi, duke i dëshpëruar 13 mijë tifozë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, por edhe shumë e shumë të tjerë që e panë lojën përmes televizorit.
Por, sikur të mos mjaftonte kjo. Kombëtarja e pësoi një goditje edhe më të rëndë dy ditë pas kësaj loje, shkruan “Gazeta Express”.
Të dielën, Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi se, në koordinim me trajnerin Foda, i ka përjashtuar nga ekipi tre lojtarë: Edon Zhegrovën, Arijanet Muriçin dhe Florent Muslijën.
Në arsyetim të FFK-së u tha se treshja i ka thyer rregullat, por pa u specifikuar një arsye e vërtetë.
Më pas u zbulua se ata kishin dalë natën duke përfunduar në një bar-restaurant, gjë e cila është e ndaluar në kohën sa janë të grumbulluar me Kombëtaren.
Lojtarët u deklaruan të pafajshëm duke thënë se akuzat ndaj tyre janë të pavërteta, duke lënë të kuptohet se këtu mund të fshihet prapa diçka tjetër.
Gjithashtu, pritet që Komiteti Ekzekutiv i FFK-së gjatë kësaj jave ta thotë verdiktin final për tre yjet e ekipit.
Me një kerr probleme dhe me këto mungesa, Kombëtarja e mori rrugën drejt Qipros, ku mbrëmë do ta zhvillonte lojën e dytë.
Lojtarët e lanë anash kaosin e brendshëm për të shfaqur lojë të shkëlqyeshme dhe e patën një dominim absolut ndaj qipriotëve.
Vedat Muriqi shkëlqeu me dy gola, ndërsa nga një tjetër e shtuan Albion Rrahmani dhe Lumbardh Dellova.
Por, lojtar i ndeshjes u shpall Donat Rrudhani, i cili i bëri dy asistime dhe e nxori një penallti.
Kosova e sheh veten në vendin e dytë në tabelën e Grupit 2 të Ligës C me 3 pikë të grumbulluara, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta luajë më 12 tetor kundër Lituanisë.
Kështu, Dardanët e mbyllën një muaj me plot turbullira dhe paqartësi, por edhe me një formë larg pritshmërive të tifozëve. /Gazeta Express/