Roma u shkërmoq 4-1 në Genoa, rezultat që ka zemëruar popullin verdhekuq. Vetëm 5 pikë në 6 javët e para të Serie A për skuadrën e Jose Mourinhos, në të njëjtën kohë nisja më e keqe në karrierë për teknikun nga Setubali.
Duke tejkaluar edhe startin me Chelsea në sezonin 2015/2016 kur ai dhe djemtë e tij grumbulluan vetëm 7 pikë në 6 sfidat e para të kampionatit anglez.
“Fillimi më i keq për mua por edhe hera e parë që Roma ka luajtur dy finale europiane radhazi… “, deklaroi Mourinho. I cili e ka të vështirë të analizojë një takim që nuk nisi mirë dhe përfundoi shumë keq.
“Nuk kam shumë për të thënë. Edhe pas ndeshjes nuk bisedova fare me lojtarët. E filluam keq, por reaguam dhe barazuam. Por më pas struktura e skuadrës u përkeqësua me dëmtimin e Llorentes.
Pasi rezultati shkoi 3-1 nuk kishte më histori, përfundoi gjithçka. 4-1 pastaj, ishte i tepërt, jashtë çdo lloj konteksti.
Shumë gola të pësuar? Shumë, pa dyshim. Njerëzit kujtojnë vetëm gabimet e Ibanez, por ai na siguronte një soliditet të jashtëzakonshëm.
Fakti që lojtarët dhe unë shkuam në sektorin e tifozëve është vetëm respekt. Lojtarët shkuan atje jo sepse i urdhërova unë, ishte nisma e tyre. Nuk ka nevojë të kërkojmë falje apo të themi asgjë më shumë.
Tifozët nuk kanë nevojë që unë të flas shumë, sepse ata e dinë shumë mirë se çfarë ndjej. Ata e dinë shumë mirë se dhimbja ime nuk është personale, është dhimbja e profesionistit.
Tifozët janë absolutisht fantastikë. Ajo që pres nga lojtarët, përveç respektit që është më e pakta që mund të bëjnë dhe e kanë bërë, është që në ndeshjen e radhës të japin gjithçka“, përfundoi trajneri i Romës./SS