Në Prizren kanë nisur punimet intensive për ndërtimin e Tregut të Gjelbër dhe parkingut nëntokësor pranë Gjimnazit “Gjon Buzuku”, një projekt që pritet të transformojë dukshëm këtë zonë të qytetit, shkruan 04 Online.
Aktualisht, ekipet në terren po vendosin kabllot e energjisë elektrike nëntokë, ndërsa paralelisht po kryhet zëvendësimi i gypave të ujësjellësit nga asbesti kancerogjen me gypa të rinj, që plotësojnë standardet moderne të sigurisë dhe cilësisë.
Gjithashtu, siç ka njoftuar Komuna e Prizrenit, po realizohet sistemi i ri i kanalizimit, ndërsa rruga ekzistuese do të shtrohet me kalldrëm, duke krijuar një hapësirë më funksionale dhe më të përshtatshme për lëvizjen e qytetarëve.
Ky projekt konsiderohet ndër më të rëndësishmit për infrastrukturën urbane të Prizrenit dhe synon të përmirësojë cilësinë e jetesës në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit./04 Online














































