Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori sot pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve në projektin e termocentralit diellor me kapacitet 150 MW nga Solar Energy Group Europe, në fshatin Bec të komunës së Gjakovës.
Ky moment, sipas kryeministrit Kurti simbolizon jo vetëm një hap të rëndësishëm drejt qëllimeve tona për të ngritur kapacitetet nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të krijuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tonë.
Teksa veçoi miratimin e Strategjisë se re të Energjisë në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha se orientimet e sektorit të energjisë për periudhën 10 vjeçare ne tashmë i kemi vendosur në këtë Strategji, me synimin që zhvillimi i sektorit të energjisë të shkojë drejt tranzicionit energjetik në përputhje me Marrëveshjen e Sofies dhe Planin e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor 6, si dhe gradualisht drejt neutralitetit ndaj karbonit deri në 2050.
“Sot ne jemi mbledhur këtu për të shënuar realizimin e vizionit tonë –atë të përpjekjes për pavarësi energjetike dhe transformimit të sektorit drejt energjisë edhe të pastër edhe të qëndrueshme’’, u shpreh kryeministri para të pranishmëve në këtë Inaugurim.
Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe Strategjia jonë e re e Energjisë, sipas kryeministrit, tregon përkushtimin tonë për të krijuar një mjedis të favorshëm dhe të qëndrueshëm për të investuar.
Javën e kaluar kryeministri Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe Administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power lancuan ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.