Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha i shoqëruar nga punonjëset profesionale për arkitekturë të këtij institucioni, kanë vizituar punimet në kullën e familjes së Pjetër Prenkpalaj në fshatin Zym të Hasit.
Ky projekt po realizohet në zbatim të programit “Masat Preventive – Intervenimet Emergjente” të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore në rrezik.
Kulla e gurit e familjes Pjetër Prenkpalaj e ndërtuar në shekullin XIX nga aspekti arkitektonik, i përket shtëpi-kullave me çardak të punuar prej druri. E vendosur mbi kodër ka pozitë dominuese mbi fshatin Zym, duke u shndërruar në pjesën përbërëse të peizazhit të fshatit. Kjo kullë prej guri veçohet për nga teknika e ndërtimit të muratimit të thatë (pa llaç) të mureve mbajtëse, teknika tradicionale e muratimit me thupra të mureve ndarëse në etazhe, punimet të drugdhendjes të jastëkëve (kapiteleve) të shtyllave të çardakut, rafteve, dyerve, dritareve, parmakëve prej druri të dritareve, etj.
Si rezultat i vjetërsisë së ndërtesës, mungesës së ndërhyrjeve konservuese dhe braktisjes, kulla e familjes së Pjetër Prenkpalaj është në gjendje shumë të keqe fizike dhe rrezikohet nga dëmtimet e mëtutjeshme që mund të rezultonin edhe me rrënimin e tërësishëm, andaj është bërë pjesë e këtij programi emergjent ka theksuar drejtori Hoxha.
Dëmtimet e përgjithshme të kësaj kulle kanë të bëjnë kryesisht me destrukturimin dhe humbjen e pjesëve të strukturës ndërtimore, sidomos të çatisë e cila ka ndikuar në dobësimin e stabilitetit të gjithë ndërtesës.
Drejtori i QRTK Prizren Samir Hoxha, thekson se pas përfundimit të punëve përforcuese në këtë ndërtesë, si pjesë e programit të punës së institucionit që drejton është edhe hartimi i projektit për restaurim dhe konservim të kësaj kulle me tipologji të veçantë.