Nis seanca ndaj 17 të arrestuarve për degradim të ambientit në Prizren

0
203

Prokuroria Themelore në Prizren ka realizuar një operacion të gjerë kundër degradimit të mjedisit, i cili ka rezultuar me arrestimin e 17 personave të dyshuar. Seanca ndaj tyre ka filluar në Gjykatën Themelore në Prizren, nën drejtimin e gjyqtares Vjollca Buzhala, raporton Gazeta Sinjali.

Një ditë më parë, u mbajt një konferencë për media, ku kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, dha detaje rreth këtij aksioni që, sipas tij, është zhvilluar në 14 lokacione të ndryshme.

“Janë sekuestruar 38 mjete pune të ndryshme, me një vlerë të përgjithshme rreth 2 milionë euro. Arrestimet janë kryer në zona të ndryshme, që shtrihen nga Krusha e Vogël deri në Landovicë”, tha Kryeziu para gazetarëve.

Ai shtoi se operacioni është rezultat i një hetimi intensiv katërmujor, që ka zbuluar veprimtari të paligjshme që datojnë që nga viti 2016.

“Kemi zhvilluar hetime ndaj personave që kanë degraduar mjedisin. Këta të pandehur kanë vepruar që nga viti 2016. Asnjë prej operatorëve ekonomikë nuk kanë pasur licenca për nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit”,theksoi ai.

Kryeprokurori bëri të ditur se, përveç hetimeve të thelluara, janë siguruar edhe prova vizuale që pritet të kenë rol kyç në procesin gjyqësor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here